Maqedoni
35 mijë amendamentet e VMRO-së, Xhaferi: Nuk do të lejoj të bllokohet Kuvendi
28.02.2018 15:01
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, thotë se bllokada në të cilën gjendet Kuvendi aktualisht...

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, thotë se bllokada në të cilën gjendet Kuvendi aktualisht, e shkaktuar nga mbi 35 mijë amendamentet e VMRO-së për Ligjit për gjuhët, nuk zgjidhet me mbajtjen e seancave maratonike por duhet gjetur një zgjidhje konkrete, në mënyrë që miratimi i ligjit të ç’bllokohet.
Në brifingun me gazetarë, Xhaferi tha se për këtë çështje ka njoftuar edhe eurodeputetët para dy ditëve. Ai është decid se nuk do të lejojë bllokadë në Kuvend.
“Qëllimi është që t’i ikim bllokimit të Kuvendit. Nuk na duhet bllokim i Parlamentit. Kam shfrytëzuar të gjitha komunikimet për të mos u bllokuar Parlamenti dhe nuk do të lejoj një gjë të tillë”,- tha Xhaferi.
Kryeparlamentari pret zgjidhje për këtë çështje në ditët në vijim. Nga VMRO jozyrtarisht e kanë njoftuar se koordinator i ri i grupit të tyre parlamentar do të jetë Dragan Danev dhe me të do të diskutohet edhe rreth kësaj çështje, por kur emërimi i tij të vijë edhe zyrtarisht nga opozita maqedonase. Xhaferi thotë se është shumë e domosdoshme vendosja e dialogut konstruktiv me opozitën. Këtë kërkuan edhe eurodeputetët të cilët erdhën në Shkup për të ringjallur iniciativën “Zhan Mone”.
Takimi i parë me përfaqësuesit e partive parlamentare është caktuar të mbahet prej më 15 – 17 mars në Ohër, por mund të shtyhet për në muajin maj, nëse eurokomisioneri, Johanes Hahn, ose ekspertët e Brukselit nuk mund të jenë në këto data të pranishëm në Maqedoni. Grupet e punës tashmë po diskutojnë edhe për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Xhaferi këmbëngul në domosdoshmërinë e mbushjes së zbrazëtirave normative në Rregullore, të cilat, sipas tij, shkaktojnë pengesa në punën e shtëpisë ligjdhënëse.
Xhaferi gjithashtu thotë se Parlamenti nuk mundet t’i mbikëqyr institucionet shtetërore kur vetë është i varur nga buxheti qeveritar, madje nuk ka as sigurim të vetin të pavarur parlamentar, pasi sigurimi aktual urdhërohet nga MPB. Pikërisht kjo varshmëri e sigurimit nga urdhrat e drejtuesve të MPB-së solli edhe mosveprimin e tyre në kohë gjatë ngjarjeve të 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
