Anulohet “Tortura”, PPS pret Mijallkovin, Boshkovski pret drejtësi

28.02.2018 15:38

Seanca për rastin “Tortura”, për mënyrën e arrestimit të kryetarit të partisë “Të Bashkuar për Maqedoninë”....

Seanca për rastin “Tortura”, për mënyrën e arrestimit të kryetarit të partisë “Të Bashkuar për Maqedoninë”, Lube Boshkovskit, u anulua. Gjykatësja, Monika Bahcovanovska, vendosi paraprakisht që ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, të mos merret në pyetje, sipas saj, pasi nuk ka bazë për të dyshuar se ai ishte nxitës i torturës.

Gjykatësja vendosi që në seancë të thirren vetëm policët që arrestuan Lube Boshkovskin. PPS u ankua ndaj këtij vendimi dhe tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Apelit. Ljube Boshkovski pret që drejtësia në Maqedoni të funksionojë dhe gjykata të japë vendimin e duhur.

“Mendoj që përfundimisht do të funksionojë shteti i së drejtës, se të gjithë do t’i gjykojë drejtësia. Kjo seancë gjyqësore do të jetë një porosi se si nuk duhet të zbatohet ligji në të ardhmen. Mendoj se gjykata do të vendosë sipas dëshmive që  i ka dhe mendoj se drejtësia do të dënojë të gjithë ata që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin”,- tha pala e dëmtuar, Lube Boshkovski.

I pyetur se nëse pret që Mijallkov të përgjigjet para drejtësisë për këtë rast, ai tha se e pret vendimin e gjykatës.

“E gjithë bota dëgjoi se çfarë regjimi totalitar ka pasur Maqedonia dhe me të vërtetë as nuk ndjej nevojë të veçantë që ta shoh atë fytyrë në gjykime, por nëse gjykata vendos se duhet të paraqitet, atëherë ai sigurisht se do të paraqitet”,- theksoi pala e dëmtuar, Lube Boshkovski.

Në rasti “Tortura” akuzohen shtatë persona, ndër të cilët edhe ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, dhe komandanti i “Alfave”, Ivica Antevski – Puki. Ata akuzohen për keqtrajtim, dëmin dhe sjellje jonjerëzore dhe nënçmuese gjatë arrestimit të Boshkovskit më 6 maj të 2011, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare.

Opozita atëbotë akuzoi qeverinë për hakmarrje, pas akuzave të ashpra të Boshkovskit ndaj Mijallkovit, gjatë fushatës parazgjedhore. Në një nga të ashtuquajturat “bomba” të opozitës së atëhershme dëgjohet se si Mijallkov mburret për arrestimin e Boshkovskit, madje jep udhëzime se si mediat duhet ta mbulojnë këtë rast. (Belinda Koka Ademi, TVM2)