Rasti i Almir Aliut, Bajrami: Rikualifikimi, vrasje edhe e sistemit të drejtësisë
28.02.2018 16:18
Familja e Almir Aliut ende pret vendimin e gjykatës nëse lënda do të rikualifikohet në vepër penale “Fatkeqësi komunikacioni me pasojë vdekjen”...

Familja e Almir Aliut ende pret vendimin e gjykatës nëse lënda do të rikualifikohet në vepër penale “Fatkeqësi komunikacioni me pasojë vdekjen”, apo autori, Boban Iliq, do të gjykohet për “vrasje me paramendim”. Avokati i familjes Aliu, Ibrahim Bajrami, vlerëson se çdo tentim për rikualifikim të mundshëm të kësaj lënde do të ishte në kundërshtim me provat materiale dhe do të ishte vrasje e gjithë sistemit gjyqësor.
“Përveç informacioneve që ne i kemi marrë nga mediat, tjera informacione ne nuk kemi, se lënda mund ose jo të rikualifikohet. Për shkak se flitet për këtë çështje, ne dyshojmë se prokuroren asgjë nuk e pengon edhe përkundër provave materiale që janë paraqitur gjatë seancës kryesore që në fjalët përfundimtare të rikualifikojë lëndën. Por, unë ju siguroj se në qoftë se ajo merr një hap të tillë, do të jetë në kundërshtim të plotë me provat materiale që janë paraqitur deri tani në shqyrtimin kryesor”,- theksoi avokati i familjes aLIU, Ibrahim Bajrami.
Avokatët e familjes Aliu i kanë kundërshtuar para Prokurorisë Themelore të Kumanovës veprimet e prokurores, Suzana Kusigjenska. Por, pavarësisht kërkesës së tyre, ajo nuk është përjashtuar nga kjo lëndë.
Avokatët e familjes Aliu nuk e kanë të qartë as se përse prokurorja nuk është interesuar deri në fund për të siguruar dëshmitarët e vërtetë okularë, që më herët u refuzuan nga gjykata, as përse nuk është sekuestruar vetura e Boban Iliqit me të cilën u shkel për vdekje Almiri dhe u lënduan familjarët e tij, e as përse nuk hetohet vëllai i Bobanit, Bojan Iliqi. Nëse Boban Iliqi gjykohet për veprën penale “vrasje me paramendim”, minimalisht rrezikon 10 vite burg.
Nëse lënda rikualifikohet në “aksident me pasojë vdekjen”, dënimi ulet në të paktën 4 vite. Dhe kjo do të ishte edhe një vrasje e dytë për 4 vjeçarin, Almir Aliu, i cili u shkel për vdekje nga Boban Iliqi, pas një zënke banale para urgjencës së qytetit të Kumanovës. Seanca e radhës, në të cilën është paraparë të dëshmojë Boban Iliq, është caktuar për më 5 mars. (Rexhep Qamili, TVM2)
