Acari siberian, 24 viktima në Europë, probleme në Shqipëri e Kosovë
Acari siberian vijon të mbajë të mbërthyer Europën....

Acari siberian vijon të mbajë të mbërthyer Europën. Në të gjithë kontinentin numërohen të paktën 24 viktima si pasojë e motit të ftohtë.
Bilanci është i rëndë, në veçanti në Rumani e Poloni, ku shumë prej të vdekurve janë të pastrehët.
Por, të vdekur kryesisht si pasojë e aksidenteve rrugore ka edhe në Serbi, Bullgari e Itali.
Dëbora dhe temperaturat e ulëta kanë ngrirë edhe detin në gjirin Ivinj, në Tisno, në Kroaci.
I ftohti ekstrem po zgjerohet drejt Gadishullit Ballkanik. I gjithë rajoni është përfshirë nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës, të cilat kanë rënë madje edhe në pjesët e bregdetit të Adriatikut.
Në Librazhd, në Shqipëri, janë bllokuar më shumë fshatra dhe ka mungesë energjie elektrike. Në Dibër e Bulqizë të gjitha njësitë administrative janë të Izoluara. Reshjet e mëdha të dëborës të rëna gjatë këtyre dy ditëve kanë sjellë probleme edhe me furnizimin me energji elektrike. Në juglindje temperaturat në zonat malore kanë shkuar deri në -11 gradë celsius. Si pasojë e borës dhe ngricave probleme mëngjesin e sotëm ka pasur në të gjitha akset rrugore. Drejt Korçës e Voskopojës udhëtohet vetëm me zinxhirë.
Kushtet e ashpra atmosferike edhe në Kosovë janë bërë shkak për mbylljen e shkollave fillore e atyre të mesme gjatë ditës së sotme.
I ftohti ka shkaktuar kaos në qarkullimin rrugor e atë ajror edhe në Gjermani, Francë, Britani të Madhe e Rusi. Në Suedi, stuhia arktike ka bërë që automjetet të braktisen dhe të lihen në mes të rrugës.
