Botë

Shqipëri - “Last Snow”, sekuestrohet 613 kg kokainë, vinte nga Kolumbia

28.02.2018 17:02

Një sasi prej 613 kilogramësh kokainë është sekuestruar në Durrës në një kamion me banane që vinte nga Kolumbia....

Kokaina ishte porositur nga kompania "Arbri-Garden", me qendër në Maminas të Durrësit dhe pronar 38 vjeçarin, Arbër Çekaj. Pronari i kompanisë së bananeve është shpallur në kërkim, ndërsa është arrestuar administratori dhe shoferi i firmës. Ngarkesa me banane dhe kokainë ka kaluar transit në Itali dhe Maltë dhe më pas ka mbërritur në Shqipëri, ku edhe është kapur në bashkëpunim me agjencitë e huaja të inteligjencës.
 
“Droga ishte nisur nga Kolumbia, transit në Itali dhe Maltë për të mbërritur në portin e Durrësit. Dy persona janë arrestuar, teksa është shpallur në kërkim pronari i kompanisë që kishte kontejnerin me banane ku ishte fshehur droga”,- deklaroi drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Ardi Veliu.
 
Zyrtarët më të lartë të shtetit, presidenti, Ilir Meta, kryeministri, Edi Rama, dhe ministri i brendshëm, Fatmir Xhafaj, kanë përshëndetur operacionin, nga i cili është sekuestruar sasia rekord e drogës. Ndërsa kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka sulmuar qeverinë për lidhje me trafikun, duke thënë se e kishte paralajmëruar një ngjarje të tillë.
 
“Kjo ngarkesë rekord e kokainës nuk mund të kalonte nga Shqipëria pa garanci politike. Këtë e paralajmëroi edhe kryeprokurori i antimafias, de Raho, të hënën në Tiranë, kur deklaroi se mafia ka lidhje me politikën shqiptare dhe ka pushtuar policinë”,- u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
Sipas policisë, nëse kokaina do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 180 milionë eurove.
 
LULJETA NDOKA