Timonie: Stabilitet i brendshëm për integrim të jashtëm

28.02.2018 17:20

Ambasadori francez, Timonie, kërkon nga partitë politike të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën....

Ambasadori francez, Timonie, kërkon nga partitë politike të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën të vendosin një dialog të ndërsjellë mes tyre për çështjet madhore. Këtë porosi ia dha sot edhe kreut të Lëvizjes Besa, Bilall Kasamit, gjatë vizitës për t’ia uruar zgjedhjen në krye të partisë në kongresin e së dielës. Ai potencoi se nevojitet kontribut i gjithë faktorit politik që sa më shpejtë Maqedonia të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe të fillojë bisedimet për hyrje në Bashkimin Europian.

“Në kuadër të debateve demokratike mund të flasim për gjithçka thelbësore, me rëndësi është që të ruajnë perspektivën euroatlantike dhe kjo bëhet vetëm me një Maqedoni e cila ka stabilitet të brendshëm dhe një funksionim normal. Ne mendojmë se partitë politike mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, normalisht duke pasur lidhjet e tyre me partitë e tjera politike në Maqedoni dhe jemi shumë afër për një dialogim të ndërsjellë”,- deklaroi ambasadori i Francës, Kristian Timonie.

KASAMI: PËRKRAHIM RRUGËTIMIN EUROATLANTIK TË RM-SË

Kasami shprehu gatishmëri për të vazhduar takimet konstruktive dhe bashkëpunimin për qëllimet e përbashkëta që janë integrimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

“Takimi ishte në frymën e një bashkëpunimi shumë të afërt dhe garantuam se edhe më tutje Lëvizja Besa do të vazhdojë që të përkrah zhvillimet e Maqedonisë drejt strukturave euroatlantike dhe edhe më tutje do të jetë në frymën e vlerave atlantike”,- tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Në takim u bisedua edhe për zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, ku u shpreh optimizëm se zgjidhje mund të gjendet. (Gazmend Kurtishi, TVM2)