Maqedoni

Tetovë, vazhdon pastrimi i rrugëve, qytetarët: Të pastrohen edhe rrugicat

28.02.2018 17:34

Komuna e Tetovës ka vazhduar me pastrimin e trotuareve dhe rrugëve dytësore...

Komuna e Tetovës ka vazhduar me pastrimin e trotuareve dhe rrugëve dytësore, por banorët ankohen se pastrohen vetëm rrugicat pranë qendrës e jo të gjitha me radhë. Ata përkujtojnë autoritetet komunale se edhe në periferi të qytetit jetojnë banorë të moshuar e fëmijë, që mezi kalojnë në rrugët e ngrira e të papastruara si duhet. 
 
“Qendra e qytetit është e pastruar, rrugicat jo, është pak neglizhenca e organeve të komunës. Por, në përgjithësi sot kanë punuar më shumë se dje. Sot më shumë i kanë pastruar këtu në qendër, por edhe rrugicat ndihmëse që janë edhe këto duhet t’i pastrojnë, pasi fëmijët shkojnë në shkollë, po ka edhe pleq që ecin aty”,- tha një banor.
 
“Një pjesë është pastruar, ndërsa pjesa tjetër jo. Besoj se do të marrin masa që  t’i pastrojnë”,- theksoi një banor.
 
“Deri diku mirë është. Lagjet nuk janë të pastruara, mirëpo rrugët kryesore po”,- theksoi një banor.
 
Nga komuna e Tetovës janë shprehur se po punohet në pastrimin e trotuareve kryesore dhe do të vazhdojnë me pastrim edhe gjatë ditëve në vijim. Ndërkaq, rrugët e Malësisë së Sharrit janë të kalueshme. Sipas paralajmërimeve të sinoptikanëve, temperaturat do të fillojnë të rriten pas ditës së premte.
 
VISAR SADIKI