KUVENDI I MAQEDONISË

Kuvendi miratoi raportin vjetor, RTVM e balancuar

17.07.2014 16:16

Me 68 vota “për”, Kuvendi miratoi raportin vjetor për punën e Ndërmarrjes Publike Radio-difuzive, “Radiotelevizioni i Maqedonisë”……

Me 68 vota “për”, Kuvendi miratoi raportin vjetor për punën e Ndërmarrjes Publike Radio-difuzive, “Radiotelevizioni i Maqedonisë”. Gjatë debatit, deputetja opozitare, Roza Topuzova Karevska, kërkoi pavarësi më të madhe të servisit publik dhe përfshirje proporcionale të opozitës në programet informative.  

“Qytetarët duan të shohin mendime të kundërta. Debate nga fusha e politikës. Emisione kulturore. Nuk mundet të jetë televizion që transmeton qëndrimet e Pushtetit ose në debate të marrin pjesë vetëm ekspertë që mbështesin një opsion, ku më shpesh ky është Pushteti” - deklaroi deputetja e PLD-së, Roza Topuzova Karevska.

Mirëpo, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovska, tha se gjendja në media mund të mos jetë në nivelin e duhur, por nuk është as bardh e zi, siç pretendon ta paraqesë opozita. Ai, duke iu referuar raportit të KRD-së, tha se RTVM gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare është vlerësuar ndër mediat më të balancuara.  

“RTVM, me serviset e saj programore u vlerësua si një nga televizionet më të balancuara në zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa radioja e Maqedonisë, e cila është pjesë e RTVM-së, u vlerësua si medium më i balancuar elektronik në RM-së në zgjedhjet e fundit parlamentare”- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovska.

RTVM, gjatë vitit 2013 ka realizuar të ardhura rreth 1 miliardë e 530 milion denarë. 61% e të hyrave janë siguruar nga grumbullimi i taksës për Radiodifuzion, rreth 16% janë fonde nga arka shtetërore për mbështetje të RTVM-së, ndërsa pjesa e mbetur janë realizuar nga reklamat dhe projektet programore.

Gjatë vitit 2013, servisi publik ka shpenzuar rreth 327 milion denarë për investime dhe 135 milion denarë për të blerë të drejta programore.

RTVM ka 846 të punësuar. Numri i të punësuarve në vitin 2013, ka shënuar rënie për 3.1%. (Shpëtim Nuredini, TVM2)