Maqedoni
Marrja e licencës për “Sante plus”, Filipçe: Rasti i 31 vjeçares hetohet nga Prokuroria
28.02.2018 18:08
Spitalit “Sante plus” tashmë i është marrë licenca për punë, pasi Inspektorati Shëndetësor vërtetoi parregullsi në funksionimin e tij....

Spitalit “Sante plus” tashmë i është marrë licenca për punë, pasi Inspektorati Shëndetësor vërtetoi parregullsi në funksionimin e tij, mungesë të kuadrit mjekësor dhe ndihmës, si dhe më e rëndësishmja, mungesën e aparaturës së domosdoshme për kryerjen e intervenimeve apo kontrolleve për të cilat spitali ua merrte të hollat pacientëve. Sa i përket përgjegjësisë ligjore për vdekjen e 31 vjeçares nga Kërçova, Debora Xhambazit, që humbi jetën gjatë procesit të lindjes e që u bë edhe shkas për kontrollet e Inspektoratit në spital, gjithçka është në duart e prokurorisë, tha ministri i Shëndetësisë, Vence Filipçe.
“Pas rezultateve të inspektimit të Inspektoratit Shtetëror Sanitar, pas konsultimeve me juristë, vendosëm që spitalit t’i merret licenca. Detaje nuk duam të shpalosim tani as nga rezultatet e Komisioneve tona as të rezultateve të obduksionit, sepse i njëjti është marrë nga Prokuroria e Përgjithshme Publike dhe ajo është lëndë hetimi”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Nga Prokuroria Themelore Publike thonë se rasti po shqyrtohet për të parë nëse ka bazë për të hapur lëndë hetimi. Por, deri tani kanë vetëm raportin e obduksionit dhe presin edhe raportin e Komisionit të Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe pse as ministri e as Prokuroria nuk japin sqarime se çfarë saktësisht ndodhi me 31 vjeçaren, jozyrtarisht thuhet se vdekja erdhi pasi pacientes tubi i anestezisë iu vendos gabimisht e jo në organet e frymëmarrjes. Por, kjo duhet të vërtetohet nga drejtësia.
GAZMEND REXHEPI
