Botë

Demarkacioni, dështon sërish ratifikimi në Kuvend

28.02.2018 18:13

Komisioni i Punëve të Jashtme e miratoi projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi, por jo edhe Kuvendi...

Komisioni i Punëve të Jashtme e miratoi projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi, por jo edhe Kuvendi, pasi në mungesë të numrit të votave prej 82 deputetëve seanca e Kuvendit u shty për javën e ardhshme. Në pres konferencën e përbashkët me presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh i bindur se javën e ardhshme do të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi.
 
“Të gjithë e kemi të qartë se pse sot Kuvendi nuk arriti të ratifikojë demarkacionin. Mirëpo, jam i bindur se marrëveshja do të kalojë në ditët e ardhshme dhe jam i bindur që sapo të ndodhë kjo, Juncker dhe BE do të bëjë punën e tyre dhe do t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”,- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Kalimi i demarkacionit në Kuvend është një hap kyç për lëvizjen e lirë të kosovarëve, tha presidenti i Komisionit Europian, Juncker. 
 
“Duhet të ratifikohet demarkacioni dhe të luftohet korrupsioni. Nuk më kënaq ideja që kosovarët janë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Janë si gjithë të tjerët dhe duhet të kenë këtë të drejtë”,- u shpreh presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
 
Junker, me këtë rast, i ka dërguar porosi edhe partisë serbe duke thënë se nga kjo përfitojnë të gjithë qytetarët kosovarë por edhe ata serbë. Edhe kryeministri, Ramush Haradinaj, ka bërë një përpjekje t’i bind përfaqësuesit e Listës Serbe në tentim për të votuar demarkacionin. Ndërsa Vetëvendosje mbetet kategorisht kundër. 
 
GYLTENE SINANI