72 vjet ShGM, Selmani: Gazetarët përballen me sfida serioze
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ditëlindjen e saj të 72 e shënoi me ndarjen e dy çmimeve....

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ditëlindjen e saj të 72 e shënoi me ndarjen e dy çmimeve për gazetari investiguese dhe një për veprimtari jetësore.
Çmimi për investigim iu nda gazetarëve, Snezhana Llupevska - Sozen dhe Mençe Atanasova - Toçi, ndërkaq për veprimtari jetësore gazetarit, Lubomir Gajdov.
Gjatë ndarjes së çmimeve, kreu i ShGM-së, Naser Selmani, tha se gazetarët përballen me sfida serioze pavarësisht nga dëshira deklarative e qeverisë së re për të luftuar praktikën e mosndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve.
“Për fat të keq, asnjë sulmues gazetarësh deri më tani nuk është sjellë para drejtësisë. Procesi i miratimit të legjislacionit të ri të medias është shumë i ngadalshëm. Jemi të brengosur se disa zgjidhje në ato ligje nuk janë në përputhje me praktikat më të mira europiane. Në ndërkohë po përballemi me forma të reja të presionit të gazetarëve. Institucionet më të larta shtetërore po përpiqen të lidhin duart e kolegëve tanë duke u dhënë atyre një farë lloji të certifikatave të sigurisë. Kompanitë e mëdha në Maqedoni kohëve të fundit po përpiqen të përdorin reklamat për të ushtruar presion mbi mediat për të mos botuar tekste kritike në opinion”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Mençe Atanasova - Toçit i është ndarë çmimi për investigimin rreth një skandali në shëndetësi për mjekun i cili për nëntë muaj ka gënjyer një grua se është shtatzënë dhe rasti më pas ka marrë epilogun e tij.
Ndërsa, Snezhana Lupevska - Sozen është përzgjedhur për publikimin e storjes “Hetim për të enjten e përgjakshme” në kuadër të emisionit “Kod” kushtuar ngjarjeve të 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend. Gazetari, Lubomir Gajdov, ka fituar çmimin për kontributin e tij për pesëdhjetë vjet rresht në gazetari. (Naim Ramadani, TVM2)
