Huamarrja e Qeverisë, VMRO-DPMNE: Shumë borxhe, hiç investime; LSDM: Po stabilizojmë ekonominë

28.02.2018 19:40

Huamarrja dhe shpenzimi i parave publike ka përplasur VMRO-DPMNE-në në opozitë dhe LSDM-në në ekzekutiv....

Huamarrja dhe shpenzimi i parave publike ka përplasur VMRO-DPMNE-në në opozitë dhe LSDM-në në ekzekutiv. Opozita maqedonase akuzon qeverinë e re për mungesë transparence në huamarrje dhe shpenzime si dhe mungesë të investimeve kapitale.

“LSDM duhet të përgjigjet se për çfarë i harxhon paratë e qytetarëve, nëse jo në investime kapitale. Harxhimet e kota të qeverisë nga ardhja e saj deri më tani u ka kushtuar qytetarëve 1.4 miliardë euro, prej të cilave 669 milionë euro janë para që janë marrë borxh vetëm në vitin 2018. Borxhe me miliarda, ndërsa investime kapitale thuaja aspak”,- deklaroi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

E menjëhershme ka qenë përgjigja e LSDM-së. “Për dallim nga qeverisja e VMRO-DPMNE-së kur paratë shpenzoheshin për barok, përmendore dhe luks, qeveria e kryesuar nga LSDM përmes menaxhimit me përgjegjësi të financave publike po stabilizon ekonominë dhe siguron më shumë para për qytetarët”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Sipas selisë blu, gjatë kësaj periudhe u rrit rroga mesatare në 12000 denarë, u zgjidh problemi i punëtorëve të kompanive të falimentuara, ndërkaq pason rritja e pagave edhe në arsim, shëndetësi dhe armatë. “Qeveria ka nënshkruar tetë marrëveshje për investime të reja në vlerë prej 73.5 milionë euro, pa shpenzuar asnjë denarë për promovim dhe marketing”,– thuhet në përgjigjen e LSDM-së. (Shpëtim Nuredini, TVM2)