Maqedoni
Moti, temperatura të ulëta deri në -18 gradë
01.03.2018 09:07
Maqedonia prej mbrëmë është përfshirë nga temperaturat tejet të ulëta, të cilat kanë zbritur deri në minus 17 gradë...

Sipas meteorologëve, vendi është përfshirë në valën e të ftohtit të ranguar si fazë e portokalltë, ndërsa dita do të jetë e ndryshueshme dhe e vranët.
Temperaturat e mëngjesit kanë lëvizur nga -18°C e deri në -9°C, ndërsa ato të ditës do të lëvizin nga -4°C e deri më 2°C. Në Berovë, ku janë matur -18 gradë, në Shkup, Petrovec dhe Kriva Pallanka -15, ndërsa në Kumanovë, Mavrovë dhe Krushevë -14 gradë.
Në mbrëmje pritet që nga perëndimi i vendit të fillojnë të reshura të borës, kurse të premten në vendet e ulëta do të ketë të reshura shiu.
Ndërkohë, nga Lidhja Auto Moto bëjnë të ditur se qarkullimi po zhvillohet nëpër rrugë të lagështa, ndërsa vende - vende ka edhe mbetje të borës.
Për shkak të temperaturave të ulëta është e mundur paraqitje e ngricave, prandaj apelohet për kujdes në komunikacion.
Për shkak të valës së ftohtë, Komisioni për parandalim nga efektet e dëmshme nga valët e të ftohtit pranë Ministrisë së Shëndetësisë rekomandon që të lirohen nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjet.
Për punëtorët të cilët punojnë në të hapur rekomandohet riorganizim i orarit të punës nga ora 10 deri në orën 16, me pauza të përkohshme nga gjysmë orë në hapësira të ngrohta në çdo dy orë.
