Botë
Rusia me raketë të re “cruise”, Putin: vazhdojmë të angazhohemi për paqe në botë
01.03.2018 15:21
Rusia ka zhvilluar një raketë të re “cruise” të pathyeshme, ka deklaruar presidenti rus, Vlladimir Putin...

Rusia ka zhvilluar një raketë të re “cruise” të pathyeshme, ka deklaruar presidenti rus, Vlladimir Putin, që paraqiti politikat e tij kryesore për mandatin e katërt presidencial.
Përmes video-prezantimit, ai tha se raketa fluturon në lartësi të ulëta, pikaset me vështirësi, ka mbushje bërthamore dhe nuk mund të ndalet nga sistemet mbrojtëse amerikane në Europë dhe Azi. Gjatë fjalimit dyorësh televiziv, Putini gjithsesi argumentoi se Rusia në vazhdimësi angazhohet për paqe në botë.
“Rritja e forcës ushtarake të Rusisë nuk kërcënon askënd, ne kurrë nuk kemi pasur ndonjë plan për të përdorur potencialin tonë ushtarak për qëllime agresive. Nuk po kërcënojmë askënd, nuk kemi në plan të sulmojmë askënd. Do të doja të potencoj dhe kjo është shumë e rëndësishme: rritja e forcës ushtarake të Rusisë është një garanci e sigurt për paqen në planet”,- deklaroi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
Operacionet ruse në Siri, në mbështetje të qeverisë së Assadit kundër rebelëve, treguan kapacitetet gjithnjë e më të larta mbrojtëse të vendit, tha më tej presidenti rus.
Ai njoftoi gjithashtu se gjatë muajve të ardhshëm do të hapet një urë lidhëse me gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, gjatë mandatit aktual të Putinit në krye të Kremlinit.
Rusia ka ruajtur gjithashtu interesat e saj në rajonin e Arktikut, duke forcuar infrastrukturën ushtarake në rajon. Putin përballet me 7 sfidantë më 18 mars, por askush prej tyre nuk pritet të sigurojë mbështetje të gjerë popullore.
SEVDIE OMEROVIQ
