Maqedoni
Mbështetje ideve të biznesit, qeveria - plan dhe financa për të ndihmuar bizneset
01.03.2018 15:44
Qeveria prezantoi programin për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që do të realizohet nëpërmjet Fondit për inovacione...

Qeveria prezantoi programin për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që do të realizohet nëpërmjet Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik.
Zëvendëskryeministri, Koço Angjushev, theksoi se sipas këtij programi kompanive të vogla dhe të mesme të cilat kanë zhvillim të shpejtë do t’u kompensohet 30% e shpenzimeve, ndërsa me 70% do të mbështeten ata kompani të cilat do të krijojnë një produkt të ri.
Qeveria do të jetë partner me 25% për të gjithë ata që kanë ide të mira për të zhvilluar biznes.
Realizimi i masave do të bëhet sipas thirrjeve publike, të cilat do të jenë të hapura 45 ditë nga dita e publikimit.
“Në qoftë se dikush që ka ide për të zhvilluar biznes dhe kompani, apo do të formojë kompani në të cilën për shembull do të ketë 100 milion euro kapital, shteti do të hyjë me 25 mijë euro në atë kapital dhe do t’i bëhet partner”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
“Vetëm përmes thirrjes së parë planifikojmë t’i ndajmë 185 milion denarë, të cilat veç më janë siguruar nga ana e qeverisë. Përveç kësaj, për vitin 2018 planifikojmë të kemi edhe dy thirrje publike me të cilat vlera e tërësishme e mjeteve që do të jepen do të jetë 645 milionë denarë”,- u shpreh drejtori i Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik, Jovan Despotovski.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kenë mbështetje shtesë edhe prej programit për konkurrueshmëri, inovacion dhe ndërmarrësi të Ministrisë së Ekonomisë.
“Për vitin 2018 kemi paraparë mbi 38 milionë denarë për mbështetjen e NVM-së, si dhe 9 milionë denarë shtesë për politikën industriale dhe klasteret. Kemi miratuar edhe një program me masat e reja të krijuara sipas kërkesës dhe në favor të sipërmarrësve”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ministri Bekteshi informoi se në seancën e ardhshme qeveritare pritet të vendoset në shqyrtim propozim ligji për mbështetje financiare të kompanive, pas çka i njëjti do të duhet të miratohet në Kuvendin e RM-së.
ERSAN PAJAZITI
