Rasti “Trajektorja”, prova edhe “bombat”, edhe raporti, edhe SMS-et

01.03.2018 16:51

Gjykatësi në rastin “Trajektorja”, Goran Boshevski, vendosi që në seancën e radhës më 20 mars....

Gjykatësi në rastin “Trajektorja”, Goran Boshevski, vendosi që në seancën e radhës më 20 mars të dëgjohen jo vetëm audioincizimet e PPS-së për këtë rast, por edhe SMS porositë e këmbyera mes katër të akuzuarve, ish-kryeministrit Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij, Vladimir Peshevskit, Mile Janakievskit dhe Ljupço Gjorgjievskit.

Ky vendim erdhi pasi në seancën e kaluar ish-kryeministri Gruevski kërkoi që SMS porositë të mos merren si dëshmi për shkak të dyshimit të tij se ato mund të jenë ndryshuar nga LSDM.

Gjykatësi argumentoi se gjykata nuk e ka për detyrë të vlerësojë në këtë fazë të procesit nëse është ndryshuar ose jo përmbajtja e SMS porosive, gjykatësi hodhi poshtë edhe propozimet e Gruevskit që në këtë rast të mos merret parasysh raporti i ekspertëve që, sipas tij, është punuar nga ekspertë me licencë të skaduar, duke argumentuar se raporti i ekspertëve për gjykatën është ligjor dhe i besueshëm.

Për bisedat e përgjuara, prej të cilave 13 nga 315 sa janë gjithsej në procedurën e rastit “Trajektorja”, gjykatësi Bishevski vendosi që të gjitha do të jenë prova dhe fakti që janë bërë publike nuk e ul vlerën e tyre si provë. Në pyetjen e gjykatësit nëse e kanë kuptuar akuzën, Peshevski Janakievski dhe Georgievki iu përgjigjën gjykatësit se e kuptojnë akuzën, kurse ish-kryeministri Gruevski tha se akuzën e ka lexuar por ende nuk e kupton se përse akuzohet. Gjykatësi, Goran Boshevski, ia shpjegoi se akuzohet për veprën penale “përfitim përmes ndikimit të jashtëligjshëm”.

Në rastin “Tajektorja”, PPS i akuzon ata se kanë shkelur dispozitat ligjore gjatë përzgjedhjes së Kompanisë kineze “Sinohidro” për ndërtimin e autostradave Milladinovci - Shtip dhe Kërçovë - Ohër, edhe pse kanë pasur ofertë më të mirë nga një kompani tjetër, duke dëmtuar buxhetin e shtetit për të paktën 155 milionë euro. Madje, për këtë fakt kanë gënjyer edhe deputetët gjatë arsyetimit të ndryshimeve ligjore. Të akuzuarit vazhdojnë të këmbëngulin se kanë punuar në përputhje me ligjin. (Rexhep Qamili, TVM2)