Objektet hotilerike, për 4 ditë sigurojnë licencë
Këto ndryshime bëhen për hir të sezonit veror, ku objektet e hotelerive janë të angazhuara shumë me punë, shprehet ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, duke shtuar se edhe 700 kompanive për shitje të alkoolit, në shtator ju skadon afati i lejeve….

Ministria e Ekonomisë, ka vendosur të shkurtojë afatet për dhënien e licencave për objekte hoteliere dhe për tregtarët e pijeve alkoolike. Deri më tani për marrjen e licencave është dashur të pritet nga 15 ditë, ndërsa tani të njëjtën afaristët do të mund ta sigurojnë për 4 ditë.
Këto ndryshime bëhen për hir të sezonit veror, ku objektet e hotelerive janë të angazhuara shumë me punë, shprehet ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, duke shtuar se edhe 700 kompanive për shitje të alkoolit, në shtator ju skadon afati i lejeve.
“Pas arritjes së kërkesës nga subjekti afarist, afati i ri për kryerjen e lëndës është 3 ditë, pas të cilës licenca është përgatitur, është dërguar për nënshkrim dhe në ditën e 4 ajo do të jetë e gatshme për t’iu dorëzuar subjektit afarist. Nëse bëhet fjalë për dokumentacion të pakompletuar, subjekti afarist ose kërkuesi ka afat prej 3 ditësh për t’i plotësuar mangësitë. Nëse merret parasysh vëllimi i shtuar i punës së këtyre subjekteve afariste në sezonin e verës, këto rregullore do të mundësojnë përshpejtimin e procedurës dhe mundësimin e funksionimit të papenguar të objekteve hoteliere dhe tregtive me alkool në pajtim me Ligjin”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Ministri, Bekim Neziri, gjithashtu thotë se për këto ndryshime kompanitë do të mund t’i përcjellin procedurat e tyre në ueb-faqen e Ministrisë, ku vazhdimisht do të azhurnohen të dhënat. (Afrim Tanallari, TVM2)
