Ligji për gjuhët, Mickovski: Zgjidhja e vetme, ligji të tërhiqet
Kreu i VMRO – DPMNE-së ka hedhur poshtë deklaratën e kreut të Kuvendit, Talat Xhaferit....

Kreu i VMRO – DPMNE-së ka hedhur poshtë deklaratën e kreut të Kuvendit, Talat Xhaferit, se së shpejti pritet zgjidhje për ngërçin e krijuar në Kuvend me mbi 35 mijë amendamentet e VMRO-së që kanë të bëjnë me Ligjin për gjuhët. Mickovski thotë se e vetmja zgjidhje është që ligji të tërhiqet nga procedura.
“Është e nevojshme që ligji të tërhiqet nga procedura parlamentare, të formohet një grup pune në të cilin do të përfshihen të gjitha partitë parlamentare, të thirren ekspertë, përfaqësues nga AShAM, nga kabineti i presidentit, e të krijojmë një ligj që do të ishte fillimisht kushtetues e më pas i aplikueshëm. Nëse dikush vërtetë ia mendon të mirën nacionalitetit që është pjesë e Maqedonisë, duhet të mbajë llogari edhe për nacionalitetet e tjera që jetojnë në Maqedoni”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Kristian Mickovski.
Mickovski, ndërkohë, ka hedhur poshtë spekulimet se ka bërë “pazare me qeverinë për të debllokuar sjelljen e ligjit në kompensim të lirimit të të arrestuarve për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend.
“Nuk ka absolutisht asgjë të tillë. Ne si opozitë duhet të relaksojmë atmosferën politike në shtet. Por, siç e përsërisin edhe një pjesë e përfaqësuesve ndërkombëtarë, përgjegjësia më e madhe për krijimin e ambientit demokratik dhe të mirë edhe për aktivitetet e opozitës është qeveria”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Kristian Mickovski.
Sipas tij, topi tashmë është në duart e qeverisë dhe opozita angazhohet që edhe më tej të jetë konstruktive. (Gyltene Sinani, TVM2)
