Raportet ndërfqinjësore, “Aleksandri i madh” hiqet nga Aeroporti i Shkupit

01.03.2018 17:39

Pas heqjes para disa ditëve të mbishkrimit “Aleksandri i Madh” nga aeroporti i Shkupit...

Pas heqjes para disa ditëve të mbishkrimit “Aleksandri i Madh” nga aeroporti i Shkupit, mbrëmë nga foajeja e aeroportit është larguar edhe përmendorja e Aleksandrit të Madh.

Heqja e mbishkrimit dhe e përmendores vjen pas vendimit të qeverisë për ndryshimin e emrit të aeroportit, nga “Aleksandri i madh” në Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.

Po ashtu në të njëjtën seancë qeveritare u vendos që edhe autostrada që mbante emrin e heroit të Maqedonisë antike, të ndryshohet në Autostrada “Miqësia”. Ndryshimi i emrave dhe heqja e përmendores janë në lëshimet e para nga ana e Maqedonisë drejt Greqisë, si shenjë e vendimit për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për çështjen e emrit.