Eurointegrimi i Ballkanit Perëndimor, Junker: Vendin e keni në BE, por plotësoni kriteret

01.03.2018 18:00

Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE, por momentalisht asnjë vend...

Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE, por momentalisht asnjë vend nga ky rajon nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret që i kërkon BE-ja për integrim, ka deklaruar  kryetari i KE-së, Zhan Klod Junker, në takim me krerët  e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje.

Deri në integrim, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i kenë mbyllur të gjitha çështjet e hapura me fqinjët, ka shtuar Junker.

“Pranimi nuk është ëndërr por realitet. Patjetër të kontribuohet në kritere për pranim, jo në data. Kur e mora presidencën deri më 2019 pata thënë se nuk do të ketë zgjerim i cili do të shkaktonte dëshpërim. Por, të sqaroj se mund të ketë pranim me vende të reja deri në vitin 2025. Duhet plotësim i të gjitha kritereve. Tash për tash asnjë shtet nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet, por është bërë progres në fushën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i kenë dhënë fund problemeve bilaterale para se të integrohen në BE”,- u shpreh kryetari i KE–së, Zhan Kllod Junker.

ZAEV: PRIORITET KORRIDORI 8, KONTESTI RRETH EMRIT

Duke folur për bashkëpunimin rajonal dhe bilateral, Zaevi ka folur edhe për çështjen e emrit. Tash është shansi më i mirë për t’u zgjidhur kontesti, tha ai.

“Qasja pozitive e kryeministrit Cipras dhe e liderëve të opozitës me dëshirë për t’u zgjidhur problemi, me të gjitha momentet e ndjeshme që dalin, më japin të drejtë të besoj se mund të zgjidhet. Qëllimi ynë është që problemi të jetë zgjidhur para Samitit të BE-së n në qershor kur presim të marrin datë për fillimin e negociatave. Sa më herët të zgjidhet aq më mirë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Në drejtim të bashkëpunimit infrastrukturor me vendet e rajonit, Zaevi ka thënë se Maqedonia i jep rëndësi të madhe agjendës konektive ndërshtetërore, e sidomos korridorit 8.

BORISOV: NË MAJ FLASIM PËR PROJEKTET INFRASTRUKTURORE

Ndërkaq, kryeministri bullgar, Bojko Borisov, ka potencuar se Samiti i majit gjithashtu do të shfrytëzohet për të biseduar edhe për financimin e projekteve infrastrukturore mes vendeve rajonale.

“Parashtruam  plan ambicioz për projekte për ndërlidhje të autostradave që duhet të jenë gati për financim deri në Samitin e majit. U dakorduam të ketë qarkullim të shpejtë në pikat kufitare dhe tarifa të njëjta të pagesave rrugore”,- u shpreh kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.

Në takimin në Sofje morën pjesë edhe eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, dhe shefja për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)