Fillon punimet Konventa Nacionale për BE e RM-së; Trajkovska: Pa gjyqësi të pavarur s’ka shtet ligjor

01.03.2018 18:24

Pa gjyqësi të pavarur nuk ka shtet ligjor, thotë ekspertja e çështjeve juridike....

Pa gjyqësi të pavarur nuk ka shtet ligjor, thotë ekspertja e çështjeve juridike, ish-gjykatëse në Gjykatën e Strasburgut, Mirjana Lazarova - Trajkovska.

Sipas saj, rruga e integrimit në BE kalon përmes Strasburgut, apo përmes sigurimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Këto komente Trajkovska i bëri në punimet e sesionit të parë të grupit të tretë të punës të Konventës Nacionale për Bashkimin Europian në Republikën e Maqedonisë.   

“Gjykata të pavarura dhe të paanshme janë “sine qua non” për sundimin e ligjit. Nuk ka zbatim të ligjit nëse paraprakisht, si parakusht, nuk sigurohet gjyqësi e pavarur, e çliruar nga të gjitha kanxhat e presionit, pavarësisht se nga vijnë ato”,- tha eksperti juridik, Mirjana Lazarova – Trajkovska.

GJUROVSKA: EKSPERTËT E INTEGRIMIT TË PËRFSHIHEN NË PROCES

Ndërkaq, kryetarja e Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian, Mileva Gjurovska, ftoi ekspertët e fushës që të angazhohen në këto punime për t’i sqaruar opinionit vendas vlerat e BE-së që duhet të mishërohen në vendin tonë. Njëkohësisht ftoi institucionet që zbatojnë në praktikë ligjet e harmonizuara me ato të BE-së.

“Kur flasim për Konventën Nacionale për BE-së, gjithmonë do të theksojmë se ajo paraqet forum të hapur dhe të gjerë që do të përfshijë aktorët e rëndësishëm në shoqërinë tonë dhe të gjithë ata që dinë për integrimet europiane në Maqedoni i ftojmë që të jenë pjesë e këtij procesi”,- theksoi Mileva Gjurovska nga Lëvizja Europiane e RM-së.

XHAFERI: KONVENTA, MODEL I MOBILIZIMIT PROFESIONAL TË PUBLIKUT

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, nën patronatin e të cilit zhvillohen këto punime, tha se Konventa Nacionale për Bashkimin Europian në Republikën e Maqedonisë paraqet forum të hapur për arritjen e konsensusit më të gjerë shoqëror për çështjet që kanë të bëjnë me aderimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Europian.

“Është model i mobilizimit të publikut profesional për zmadhimin e kapaciteteve integruese të shoqërisë nëpërmjet dialogut për tema vitale në frymën e legjislacionit europian dhe praktikave europiane. Ky sesion pune është sesioni i parë me të cilin do të fillohet pikërisht ky mobilizim i publikut profesional dhe unë shpreh respekt dhe përkrahje ndaj Lëvizjes Europiane në Republikën e Maqedonisë e cila është bartëse e këtij projekti në Maqedoni”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Konventa kombëtare për BE-në në Republikën e Maqedonisë, e cila zyrtarisht filloi me punë me seancë plenare më 9 nëntor të vitit 2017, është bazuar mbi modelin sllovak, i cili anëtarësimin në BE nuk e sheh si qëllim, por si mjet për ta ngritur vendin në nivelin e vendeve europiane. (Shpëtim Nuredini, TVM2)