KULTURË

Teatri shqiptar në Shkup, me pamje bashkëkohore

17.07.2014 18:09

Po vazhdojnë punimet në Teatrin Shqiptar në Shkup, pas katër dekadave pritet që Teatri të fitojë pamje të re, teknikë skenike të modernizuar dhe bashkëkohore….

Po vazhdojnë punimet në Teatrin Shqiptar në Shkup, pas katër dekadave pritet që Teatri të fitojë pamje të re, teknikë skenike të modernizuar dhe bashkëkohore.

Ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhidin Shehapi, gjatë vizitës së bërë kësaj godine, thanë se investimi është i rëndësishëm për zhvillimin e kulturës së shqiptarëve në Maqedoni dhe se kushtet e reja bashkëkohore do të jenë një motiv më shumë për aktorët dhe për kreativitetin e tyre.

“Gjithçka që do të ndërtohet në këtë objekt, do të jetë në pajtueshmëri me të gjitha Teatrot e vendeve evropiane, gjithashtu edhe skena do të furnizohet me teknologjinë më të lartë botërore, paralelisht po bëhet edhe furnizimi i Teatrit me teknologji të re”- deklaroi ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançenska Milevska.

“Të gjitha pozicionet brenda, po zhvillohen me dinamikën e planifikuar. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim edhe më tej punën e Teatrit, për shkak se bëhet fjalë për një objekt kapital, për një objekt të veçantë për ne dhe në përgjithësi për kulturën e Shkupit”- theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi. 

Drejtori i Teatrit, Adem Karaga, tha se ky lloj investimi do të jetë një motiv më shumë për vetë aktorët.

“Realisht, intervenime të vogla ka pasur Teatri, por me intervenime të këtij lloji nuk është prekur Teatri që nga hapja funksionale e tij, para 40 viteve, që janë katër dekada të plota, Teatri ka filluar në këtë hapësirë, ka hapur dyert për publikun e vet më 1974 dhe rrafsh pas 40 viteve po bëhet një ndërhyrje kaq kapitale brenda kësaj godine”- potencoi drejtori i Teatrit, Adem Karaga.

Por, derisa po bëhen punimet në godinën e Teatrit Shqiptar, aktorët e këtij Teatri në krye me drejtorin Karaga, po punojnë në objektin e Teatrit Popullor të Maqedonisë dhe në skena tjera, deri në  hapjen apo rihapjen e Teatrit Shqiptar në shtator të vitit të ardhshëm.

Projektues i objektit të ri është “Megaron-Inxhiniering SHPK Shkup”, ndërsa zbatues i punimeve “Lamone Moreda” nga Italia. Sanimi dhe adaptimi në themel i këtij institucioni, është investim i Qeverisë në vlerë prej rreth 8 milion euro. (Hamide Ibraimi, TVM2)