Poeti, Lulzim Haziri, promovoi librin në maqedonisht “Kur dashuria shkrihet si shkumës”

01.03.2018 20:21

Poeti, Lulzim Haziri, promovoi një përmbledhje poetike “Kur dashuria shkrihet si shkumës”...

Poeti, Lulzim Haziri, promovoi një përmbledhje poetike “Kur dashuria shkrihet si shkumës”, në gjuhën maqedonase. Promotorë të botimit ishin Luan Starova dhe Selajdin Saliu, ndërkaq përkthimi i poezive nga shqipja në maqedonishte është i Lindita Ahmetit.

Promotorët potencuan se Haziri është ndër zërat më të veçantë të poezisë shqipe, i cili krijoi një poezi krejtësisht të veçantë, pretendonte të komunikonte krejt ndryshe me lexuesit.

“Ai është një zë mjaft autentik në poezinë shqipe në përgjithësi që botohet tek ne shqiptarët në Maqedoni, një zë i fuqishëm që përmban në vete dhe vlera estetike, por është në rrjedhojë me pulsimin e jetës bashkëkohore dhe besoj se lexuesi maqedonas do të ketë në vazhdimësi edhe një vepër në letërsinë shqipe e cila do të hap rrugën e të tjerëve”,- tha akademiku, Luan Starova.

“Unë mendoj që sistemet kulturore, sistemet poetike kanë shumë nevojë që të komunikojnë mes vete dhe është një ngjarje që na fut në dimensionin interkulturor, që është shumë e domosdoshme për këtë shoqëri siç është Maqedonia, sepse në njëfarë mënyre komunikojmë me vlera. Mendoj që është bërë një punë e jashtëzakonshme në komunikimin e vlerave artistike që krijohen nga krijues shqiptarë me sistemin kulturor maqedonas, që duhej të ishte dhe anasjelltas”,- u shpreh poeti, Salajdin Saliu.

Ndërkaq, Haziri theksoi se ky libër u bën nder edhe lexuesve maqedonas të cilët do kenë mundësi të afrohen edhe me një poet shqiptar që jeton afër tyre.

Është  kjo një vënie e një ure mes dy kulturave, dy gjuhëve dhe besoj se ky botim i poezisë shqipe në gjuhën maqedonase do të ndikojë në atë hapësirën interkulturore, pasi që njihemi shumë pak njëri me tjetrin, shumë pak bashkëpunojmë dhe do isha shumë i lumtur nëse ky libër rrit një debat interkultutor, një bashkëpunim më të ngushtë jashtë atyre skemave të imponuara nga politika, sepse letërsia mbi të gjitha duhet të jetë sigurisht, që ka të bëjë edhe me të bukurën dhe kisha dashur që çdo rezultat të jetë i bukur nga ky botim”,- theksoi autori i librit, Lulzim Haziri.

Poezia e Lulzim Hazirit është përkthyer në disa gjuhë, është përfaqësuar në disa antologji kombëtare dhe të huaja. Për punën e tij kanë shkruar kritikët shqiptarë dhe të huaj. (Semra Ajeti, TVM2)