Vazhdojnë operacionet antidrogë, 5 ton drogë në Itali, vinte nga Shqipëria
Shqipëria vihet sërish në qendër të vëmendjes së mediave botërore për shkak të trafikut të drogës....

Shqipëria vihet sërish në qendër të vëmendjes së mediave botërore për shkak të trafikut të drogës. 5 ton marihuanë që vinte nga Shqipëria është sekuestruar në Itali, ku janë arrestuar 25 persona, tre prej të cilëve shqiptarë.
Ndërkohë, edhe 46 persona të tjerë janë nën hetim, prej të cilët shtatë shqiptarë. Superaksioni i Guardia di Finanza dhe policisë në Catanzaro vijon ende për të zbuluar të tjerë persona të përfshirë në trafikun e kësaj sasie marihuane, ndërsa të arrestuarit dyshohet se janë përgjegjës për sasinë e madhe të lëndës narkotike, që vinte nga Shqipëria.
Nga ana tjetër, në Igumenicë të Greqisë është kapur një gomone me 424 kg marihuanë, ndërsa është arrestuar skafisti shqiptar.
Dy operacionet antidrogë në Itali dhe Greqi vijnë një ditë pasi në Durrës u sekuestrua një sasi rekord kokaine prej 613 kg e cila vinte me kontejner nga Kolumbia, kishte kaluar transit në Itali e Maltë dhe kishte mbërritur në Portin e Durrësit në datën 19 shkurt. Kamioni ku u kap kokaina është nën vëzhgim, ku pritet të merren gjurmët e disa të rinjve për të zbuluar detaje të tjera hetimore. (Luljeta Ndoka, TVM2)
