Botë
Netanjahu merret në pyetje në lidhje me skandalin me kompaninë "Bezek"
02.03.2018 12:19
Policia izraelite sot për herë të parë e mori në pyetje kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu...

Policia izraelite sot për herë të parë e mori në pyetje kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu në lidhje me skandalin korruptues në të cilin është e përfshirë kompania e telekomunikimit në vend "Bezek".
Skandali shpërtheu pas publikimit të informacioneve se pronarët e "Bezek", të cilët llogariten të afërt të Njetanjahut, kanë ndikuar ndaj sajteve të internetit nën kontroll të tyre për të raportuar pozitivisht për kryeministrin izraelit dhe bashkëshorten e tij Sara dhe për këtë shërbim kanë marrë përfitime nga trupat rregullatorë shtetërorë për telekomunikime.
Netanjahu, i cili tani më është i dyshuar për dy raste të tjera të korrupsionit, mohon çfarëdo lloj të lidhjes së tij me rastin me "Bezek".
Sipas mediave izraelite, në të njëjtën kohë me Netanjahun, policia në një lokacion tjetër e ka marrë në pyetje bashkëshorten e tij.
Në lidhje me këtë skandal, policia më 18 shkurt ka arrestuar disa anëtarë të udhëheqësisë së "Bezek", midis të cilëve, siç lajmëruan mediat izraelite dhe dy bashkëpunëtorë "shumë të afërt" të Netanjahut.
Arrestimi i udhëheqësve të "Bezek" vijoi më pak se një javë pasi policia izraelite propozoi të ngrihet akuza kundër Netanjahut për dy raste të marrjes së ryshfetit.
Sipas mediave izraelite, policia e dyshoi Netanjahun se ja pranuar dhurata nga një biznesmen dhe se ka bërë marrëveshje me një botues izraelit të gazetave për uljen e konkurrencës mediatike, në zëvendësim për tekstet pozitive për Qeverinë në edicionet e tyre.
Në lidhje me këto dyshime në fillim të vitit 2017, Netanjahu në disa raste është marrë në pyetje nga policia./mia
