Eurointegrimi i Ballkanit Perëndimor, Osmani: garanci për stabilitetin e Europës
Vetëm një Ballkan Perëndimor i sigurt, stabil dhe i përparuar si pjesë e familjes europiane parqet garanci për ardhmërinë...

Vetëm një Ballkan Perëndimor i sigurt, stabil dhe i përparuar si pjesë e familjes europiane parqet garanci për ardhmërinë, stabilitetin dhe sigurinë e Europës në tërësi.
Ky është konstatimi i zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani, pas takimit me ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe Siguri, Alehandro Alvargonzales, dhe zëvendësdrejtorin e përgjithshëm për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Europian, Maçej Popovskin.
Në takimin e përbashkët u diskutuan aspiratat europiane të Maqedonisë në kontekst të rekomandimeve të cilat i përmban Strategjia e re e Komisionit Europian për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025.
“Ndodhemi në një periudhë historike kur konsensusi nacional dhe shoqëror është i domosdoshëm që përfundimisht ta mbyllim çështjen e BE-së dhe NATO-s”,- theksoi Osmani, duke potencuar mesazhet e Strategjisë së Komisionit Europian që me saktësi i përvijojnë për vendet e Ballkanit Perëndimor deri në anëtarësimin me të drejtat e plota.
Osmani referoi edhe për gjendjen e implementimit të Planit 3-6-9, posaçërisht në pjesën e reformave të sistemit gjyqësor, reformat në shërbimet e sigurisë, si dhe reformat në administratën publike.
“Ekziston një optimizëm i qartë europian që paraqet një nxitje të rëndësishme për Qeverinë, por edhe për gjithë shoqërinë, të cilët në përgjithësi i janë përkushtuar integrimeve euroatlantike të Republikës së Maqedonisë”,- shtoi Osmani.
