Protesta para Prokurorisë në Shkup, “jo rikualifikim të veprës për vrasjen e Almirit”

02.03.2018 16:46

Me varrin simbolik para Prokurorisë Themelore në Shkup...

Me varrin simbolik para Prokurorisë Themelore në Shkup, protestuesit kërkuan drejtësi për Almir Aliun.

Ata vlerësuan se rikualifikimi i veprës nga “vrasje me paramendim” në “aksident trafiku” paraqet vrasje të dytë për Almirin, por edhe për vetë sistemin e drejtësisë. Protestuesit njëherit kërkuan edhe shkarkimin e prokurores, Suzana Kusigerskas, hetim dhe ekspertizë shtesë të automjetit me të cilin u godit për vdekje katërvjeçari, Almir Aliu.

“Kryeprokurori Jovevski, i cili është zgjedhur nga kjo qeveri, që do të thotë nuk është recidiv i qeverisjes së kaluar, që gjithmonë ia hedhim fajin atyre, ai në Kuvend gënjeu se rikualifikimin e veprës penale e ka nënshkruar ish-kryeprokurori, Marko Zvrlevski, që nuk është vërtetë, sepse ai ishte tre muaj i shkarkuar nga detyra. Sipas informatave që kemi, dokumenti i nënshkruar është në duart e prokurores, Kusigjenska, dhe deri në fund të procesit gjyqësor ajo mund të nxjerrë këtë dokument si armë”,- deklaroi protestuesi, Visar Vishka.

“Për shkak se si është kryer kjo procedurë hetuese, eliminimit të provave, përkatësisht armës me të cilën është kryer vepra, animit të prokurores publike gjatë procedurës, shëtitjes së kualifikimit të lëndës nga  Prokuroria Themelore në Kumanovë në Prokurorinë e Lartë dhe atë Republikane, gjegjësisht për shkak të sabotazhit të drejtësisë në rastin “Almir”, kërkojmë përjashtimin e prokurores publike, Suzana Kusigerskas”,- theksoi protestuesja, Anita Latifi.                                                                                                                        

Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq, tha se do të insistojë deri në fund për sekuestrimin e automjetit me të cilin është kryer vrasja e që tashmë është vendosur në shitje nga ana e familjes së autorit dhe njëherit kanë kërkuar dhe ekspertizë shtesë.

“Unë si jurist jam i befasuar nga fakti se përputhen të dhënat e automjetit që është vënë në shitje me automjetin me të cilin është kryer vrasja e vogëlushit Almir. Kjo për mua është absurde, ashtu siç është absurde edhe se si është udhëhequr e gjithë procedura gjyqësore nga ana e SPB- Kumanovë dhe prokurores publike. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për Almirin dhe për këtë arsye veç më kërkuan ekspertizë të  sërishme të automjetit tashmë të rregulluar dhe të vendosur në shitje”,- u shpreh avokati i famijes Aliu, Asmir Alispahiq.

Nëse Boban Iliq gjykohet për veprën penale “vrasje me paramendim”,  minimalisht rrezikon 10 vite burg, ndërsa nëse lënda rikualifikohet në fund të procedurës gjyqësore si “aksident me pasojë vdekjen”, dënimi ulet në të paktën 4 vite.

Almir Aliu u shkel për vdekje nga Boban Iliq pas një zënke banale para urgjencës së qytetit të Kumanovës. Seanca e radhës, në të cilën është paraparë të dëshmojë Boban Iliqi, është caktuar për më 5 mars. (Rexhep Qamili, TVM2)