Qeveria: Do të publikohen shpenzimet e funksionarëve, punohet në rritjen e transparencës ndaj mediave

02.03.2018 17:28

Shpenzimet e ministrave, zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetërorë....

Shpenzimet e ministrave, zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetërorë së shpejti do të mund të ndiqen përmes një aplikacioni digjital që qeveria do ta promovojë javën e ardhshme.

Këtë e bënë të ditur zyrtarët e qeverisë sipas të cilëve është në përgatitje e sipër softueri për ndjekjen e këtyre shpenzimeve, i cili do të ofrojë informacione të sakta për shpenzimet e funksionarëve shtetërorë.

“Të gjitha shpenzimet që i kanë bërë duke filluar nga ministrat, zëvendësministrat dhe sekretarët shtetërorë në periudhën prej 1 qershorit e deri më 1 dhjetor, apo gjashtë muajt e parë, i sublimojmë dhe do të ketë softuerë dhe do të jemi të përgatitur që shumë shpejt t’i shpallim të njëjtat edhe në formë të implikacioneve të qarta financiare edhe në formë të raportit i cili duhet t’i sqarojë aktivitetet dhe harxhimet e realizuara”,- deklaroi ministri pa resor, Robert Popovski.

“Pamë se ka funksion i cili përmes grafikoneve informuese do të sqarojë harxhimet e funksionarëve. Fillojmë me një grup prej 60 funksionarësh dhe ky rreth parashihet të zgjerohet. Ky funksion do të shpallet publikisht në fund të javës së ardhshme”,- tha Ilija Zhupanovski nga Sektori për media.

Sa i përket transparencës së institucioneve ndaj medieve, ministri Popovski u bëri thirrje mediave të tregojnë se cilat institucione apo media nuk e ndjekin procesin e transparencës që të njëjtit të korrigjohen.

“Një nga funksionet e mia si ministër në Qeveri është që të mundem në seanca të parashtroj pyetje dhe të kërkoj shkarkim të funksionarëve për këtë çështje, pa marrë parasysh se sa të njëjtit tregojnë cilësi në aktivitetin që ushtrojnë”,- theksoi ministri pa resor, Robert Popovski.

Mediat dhe sektori joqeveritar pati vërejtje për refuzimin e prononcimeve për media nga ana e bartësve të funksioneve, me ç’rast ministri Popovski tha se çdo funksionar duhet të prononcohet  për media pa marrë parasysh se a është nga radhët e LSDM-së apo BDI-së dhe se ata duhet të jenë transparent me mediat. (Flutura Latifi, TVM2)