Skadon armëpushimi, Gaza godet Izraelin me raketa
Zyrtarët në Gaza, thonë se sulmet e Izraelit kanë lënë 227 palestinezë të vrarë. Raketat e Hamasit, ndërkaq, kanë vrarë një izraelit..

Pavarësisht armëpushimit të deklaruar humanitar, ushtria e Izraelit ka raportuar për hedhjen e një rakete nga Rripi i Gazës në qytetin Ashkelon, duke shtuar se po ashtu gjatë armëpushimit pesorësh, tri mortaja tjera nga Gaza kanë rënë në territorin e tyre. Hamasi ende nuk i ka komentuar këto raporte.
Armëpushimi pesorësh midis Izraelit dhe Hamasit ka nisur në orën 9:00, pas nëntë ditësh luftime. Dy palët kanë rënë dakord që të ndalojnë sulmet deri në orën 14:00, për t’iu mundësuar banorëve të Gazës që të furnizohen.
Zyrtarët në Gaza, thonë se sulmet e Izraelit kanë lënë 227 palestinezë të vrarë. Raketat e Hamasit, ndërkaq, kanë vrarë një izraelit.
Izraeli ka nisur operacionin ushtarak më 8 korrik, me qëllim, siç ka thënë ai, ndalimin e sulmeve me raketa nga militantët e Hamasit. Por, Kombet e Bashkuara thonë se shumica e të vrarëve në Gaza janë civilë. (Leunora Kaliqi, TVM2)
