Presidenti Meta takim me Komisionin e jashtëm, analizohen negociatat me Greqinë

02.03.2018 18:23

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, ka thirrur në një takim deputetët anëtarë të Komisionit të Politikës së Jashtme...

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, ka thirrur në një takim deputetët anëtarë të Komisionit të Politikës së Jashtme në lidhje me çështjen e negociatave me Greqinë. Presidenca njofton se Meta në takim ka nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe informoi deputetët me qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje, duke nënvizuar se për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të qëndrueshme kërkohet bashkëpunim dhe seriozitet nga të gjitha institucionet.

Presidenti Meta theksoi se vlerëson frymën bashkëpunuese dhe konstruktive, që karakterizoi bashkëbisedimin me deputetët e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme.

Në përfundim të takimit, deputetët e opozitës u shprehën se edhe mazhoranca ra dakord që qëndrimi i presidentit ishte korrekt. Ndërsa Tritan Shehu tha se çështja duhet të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare.