Burkina Faso, sulmohet Ambasada franceze
Katër sulmues janë vrarë gjatë një sulmi ndaj Ambasadës franceze...

Katër sulmues janë vrarë gjatë një sulmi ndaj Ambasadës franceze dhe Shtatmadhorisë së Armatës në kryeqytetin e Burkina Fasos, Uagadugu. "Katër sulmues janë neutralizuar", njoftoi në ueb-faqen Shërbimi informativ qeveritar. Paraprakisht, ambasadori francez në vendin afrikan në Twitter kishte shkruar “Jemi nën sulm”. Dëshmitarët nga vendngjarja kanë raportuar se kanë vërejtur disa persona të armatosur që dilnin nga një automjet dhe hapnin zjarr përpara se t’i drejtoheshin selisë diplomatike franceze.
“Ne pamë, një koleg dhe unë, pamë katër njerëz që po përpiqeshin të hynin në ambasadë në anën lindore, ishin në veshje civile, me një lloj jeleku dhe një thes me thika, të cilat ishin shumë të dukshme, ata nuk arritën dhe kështu ata u përpoqën të hyjnë nga ana perëndimore. Ne pamë se ia kishin vënë flakën një makineje, ngjashëm me atë që kishte ndodhur në Kapuccino. Mendoj se janë të njëjtët njerëz”,- theksoi gazetari, Omar Zombre.
Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Burkina Fasos këshilloi njerëzit të gjenin strehime të sigurta. Ky vend ka përjetuar dy sulme të fuqishme gjatë dy viteve të fundit. Vendi afrikano-perëndimor u bë dëshmitar i një grusht shteti të dështuar në vitin 2015. Gjyqi për dhjetëra të akuzuar nisi më herët gjatë kësaj jave, por u pezullua sepse avokatët mbrojtës dolën në protestë kundër gjykatës ushtarake. (Sevdie Omeroviq, TVM2)
