Europa e kapluar nga acari, 55 të vdekur, të pastrehët më të rrezikuarit
Europa kaloi mbrëmë një tjetër natë në kushte acari....

Europa kaloi mbrëmë një tjetër natë në kushte acari. Stuhitë e dëborës dhe reshjet e dendura kanë mbyllur rrugë, rrjete hekurudhore e shkolla, e kanë detyruar anulimin e qindra fluturimeve.
I ftohti i pazakontë për këtë pjesë të vitit është shtyrë deri në jug duke prekur dhe Mesdheun. Bilanci i vdekjeve në Europë ka mbërritur në 55 persona. 21 prej viktimave u shënuan në Poloni, pjesa dërrmuese persona të pastrehë.
Situata e krijuar e shtyu Organizatën Botërore të Shëndetësisë të dalë me paralajmërimin se të varfrit, të pastrehët dhe emigrantët janë personat më të rrezikuar nga ngricat. Në deklaratën e OBSh-së kërkohet kujdes edhe për të moshuarit, fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Dëbora dhe erërat e forta detyruan mbylljen e Aeroportit të Gjenevës, por ai u rihap sërish pas pastrimit të pistës.
Aeroporti i Schiphol në Amsterdam u prek edhe ai nga stuhia duke anuluar apo shtyrë me dhjetëra fluturime.
Në Francë, rreth 2000 drejtues automjetesh mbeten të bllokuar në një rrugë pranë Montpellier, ku disa thonë se kanë mbetur aty pa lëvizur dot për gati 24 orë. Probleme patën edhe shërbimet e Eurostarit ndërmjet Londrës, Parisit e Brukselit.
Moti i keq, me dëborë dhe akuj, nuk ka kursyer as Britaninë e Madhe. Në qytetet më të prekura nga dëbora raportohet edhe zbrazje e supermarketeve, pasi njerëzit kanë nxituar të sigurojnë rezerva.
Temperatura të ulëta deri në minus 20 gradë u regjistruan edhe në rajonin e Ballkanit. (Sevdie Omeroviq, TVM2)
