Maqedoni
DPHM: Reshjet e kanë rritur nivelin e lumenjve, është e mundur derdhje e tyre
03.03.2018 12:03
Gjatë 24 orëve të fundit në pjesën perëndimore të Maqedonisë ka pasur reshje më të rrëmbyeshme të shiut, ndërsa në vendet më të larta dhe malet ka rënë borë....

Deri në fund të ditës nuk priten reshje më të mëdha të shiut, por për shkak të motit të ngrohtë dhe temperatura të larta të ajrit, bora do të vazhdojë të shkrihet për çka është e mundur derdhje e lumenjve në pjesën e rrafshët, informoi Drejtoria për punë hidrometeorologjike (DPHM).
"Reshjet së bashku me borën e shkrirë shkaktuan rritje të nivelit të ujërave të lumenjve në pjesën perëndimore të vendit, ndërsa veçanërisht është rritur niveli i Lumit Vardar në rajonin e Pollogut, si dhe në Treskë, Radikë, Sateska, Drinin e Zi dhe Cërnarekë", thonë nga DPHM dhe shtojnë se edhe gjatë ditës priten të jenë të larta nivelet e ujërave në këto lumenj.
Sipas të dhënave të stacioneve meteorologjike, më shumë shi në 24 orët e fundit ka rënë në Mavrovë 36 milimetra, pas çka vijojnë Pozharan me 31, Krushevë 14, Tetovë 14 dhe Ohër nëntë milimetra.
Për shkak të shkrirjes së borës, theksojnë nga DPHM, lagështia në vend do të jetë shumë e madhe dhe pritet edhe më tej të mbesin të larta nivelet e lumenjve, veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit, ndërsa në disa vende të rrafshëta është e mundur paraqitje e derdhjes së lumenjve.
"Në periudhën e ardhshme pritet edhe rritje e nivelit të ujërave nëntokësore. Janë të mundshme derdhje lokale të lumenjve në pellgun e Treskës te vendi Plasnicë, në pjesën e epërme të pellgut të Vardarit në Luginën e Pollogut, si dhe në pellgjet e Radikës, Sateskës, Drinit të Zi dhe Cërna Rekës", potencojnë nga DPHM-ja.
Për shkak të lagështisë së madhe në tokë dhe shkrirjes së mëtutjeshme të borës nga DPHM-ja paralajmërojnë për ndjekje me kujdes të gjendjes dhe lëvizje të kujdesshme afër lumenjve dhe përrenjve të thata./Mia
