Isa Mustafa, zgjidhet kryetar i kuvendit të Kosovës
Mustafa mori votat e deputetëve të partisë së tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe atë të përfaqësuesve të minoritetit serb, ndërkaq, mungonin ata të Partisë Demokratike të Kosovës…..

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, ndërsa “pro” kandidaturës së tij kanë votuar 65 deputet nga gjithsej 82 të pranishëm, ndërsa 18 ishin të përmbajtur.
Mustafa mori votat e deputetëve të partisë së tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe atë të përfaqësuesve të minoritetit serb, ndërkaq, mungonin ata të Partisë Demokratike të Kosovës.
Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se si kryetar i Kuvendit do të punojë për të gjithë deputetët, sepse një gjë e tillë kontribuon në rregullimin e jetës së qytetarëve.
“Ju falënderoj për besimin. Ju siguroj se si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të punoj në interes të të gjithë deputetëve, e të gjitha grupeve parlamentare, sepse kjo është në interes të qytetarëve të Kosovës. Do të punojmë në integrimin e pakicave. Do të siguroj që në seancën e ardhshme të emërohen nënkryetarët që nuk janë emëruar. Do të vazhdojmë që të merremi me tema që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, që sigurojnë zhvillim ekonomik, shtet ligjor, luftën kundër korrupsionit. Do ta përforcojmë partneritetin ndërkombëtar. Ju uroj sot betimin e juaj si deputetë dhe kërkoj bashkëpunim e mbështetje për të gjitha çështjet që janë në interes të qytetarëve të Kosovës”- deklaroi kryetari i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa.
Seanca e konstituimit të organit legjislativ, u karakterizua nga debate, tensione dhe braktisje të sallës.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pasi e konsideron të paligjshëm këtë votim. “Vetëvendosje” ka abstenuar, mirëpo ka qëndruar në sallë për ta bërë kuorumin.
Kandidati i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, i propozuar për nënkryetar Kuvendi, arriti të merr 82 votat e deputetëve të pranishëm në sallë, ndërsa LDK deri në seancën e radhës nuk do të propozojë nënkryetar.
Ashtu siç edhe pritej, seanca e parë konstituive e Kuvendit të ri të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, u shoqërua me mosmarrëveshje dhe tensione mes dy kampeve kryesore politike, PDK dhe koalicionit LDK, AAK, “NISMA”, për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Në mbledhjen e parë, PDK shkaktoi tensione, pasi deputetët e saj u ulën në vendet e tyre të mëparshme, duke e nxitur reagimin e palës tjetër. (Sanije Kasami, TVM2)
