Heusgen-Xhaferi: Të avancohet statusi i shqiptarëve
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, gjatë vizitës së tij në Gjermani, sot ka realizuar takim me Dr. Christof Heusgen, drejtor i përgjithshëm i Kryeministrisë dhe këshilltar i politikës së jashtme dhe i sigurisë, i kancelares gjermane, Angella Merkel………

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, gjatë vizitës së tij në Gjermani, sot ka realizuar takim me Dr. Christof Heusgen, drejtor i përgjithshëm i Kryeministrisë dhe këshilltar i politikës së jashtme dhe i sigurisë, i kancelares gjermane, Angella Merkel.
Zhvillimet politike në vend dhe rajon, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike, përfshirë këtu edhe protestat që organizohen nga pakënaqësia e vendimit gjyqësor për rastin “Monstra”, integrimi në strukturat euro-atlantike të Maqedonisë, kanë qenë disa tema për të cilat është bërë fjalë në takim.
Zëvendëskryeministri, Xhaferi, theksoi se prioritet i Maqedonisë mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, duke shtuar se BDI, si pjesë e koalicionit qeveritarë është e përcaktuar për gjetjen e kompromisit rreth çështje së emrit me Greqinë dhe çdo ndihmë në këtë drejtim e faktorit ndërkombëtarë, është më se e mirëseardhur.
Integrimi i RM-së, potencoi z. Xhaferi, në organizmat euroatlantike është më shumë se një bazë e shëndoshë dhe faktor i rëndësishëm për marrëdhënie të mira ndëretnike në Maqedoni. Në këtë takim, përfaqësuesi i Qeverisë gjermane u interesua lidhur me masat të cilat duhet të ndërmerren për ndërtimin e mirëbesimit në mes komuniteteve, me ç’rast zëvendëskryeministri, Xhaferi, theksoi se përdorimi i gjuhës shqipe, ndarja proporcionale e mjeteve publike, buxhetit, investimi në infrastrukturën dhe ndarja e fondeve në mënyrë të veçantë për kulturën shqiptare, do të kthenin besimin te institucionet. Ai, tha se si shtyllat të cilave duhet t’i qasemi në mënyrë të veçantë, janë jurisprudenca dhe punët e brendshme. Në këto dy sfera, duhet të bëhen reforma që të krijohet besimi te qytetarët dhe njëkohësisht duhet të jenë më transparent gjatë punës së tyre dhe të avancohet përfaqësimi i shqiptarëve.
Ndërkaq, dr. Christof Heusgen, drejtor i përgjithshëm i Kryeministrisë dhe këshilltarë i politikës së jashtme dhe i sigurisë, i kancelares gjermane, Merkel, theksoi se Berlini zyrtar mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe EU. Heusgen tha se zgjidhja e çështjes së emrit dhe raportet ndëretnike janë dy prioritete kryesore të politikës zyrtare të kancelares gjermane.
Gjatë takimit, u theksua se kancelarja, Merkel, ka pasur rastin t’i prezanton qëndrimet e Berlin zyrtar si në Samitin e Dubrovnikut, në takimet zyrtare në Bruksel, si dhe në raste të tjera. Ai, tha se Berlini në mënyrë intensive investon për të krijuar një klimë të përshtatshme për dialogun në mes Shkupit dhe Athinës, për ta debllokuar rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së. (Rexhep Qamili, TVM2)
