Maqedoni

Dalin nga shtrati rrjedhat e epërme të lumenjve Vardar, Cërna dhe Treska

05.03.2018 13:46

Dalje nga shtrati ka në rrjedhat e epërme të lumenjve Vardar, Cërna, Treska dhe degët e tyre më të vogla, kumtoi DPHM...

Reshjet e reja prej 10 deri në 15 litra në një metër katror të cilat paralajmërohen për 24 orët e ardhshme në malet Korab dhe Malin e Sharrit, do të shkaktojnë presion plotësues ndaj rrjedhave lumore dhe përrenjve në këto rajone.
 
DPHM paralajmëron lëvizje të kujdesshme pranë lumenjve dhe përrenjve në Maqedoni, ndërsa veçanërisht në rrjedhat e epërme dhe nëpër pellgjet e Vardarit, Treskës, Cërna dhe degët e tyre, si dhe nëpër lumin Radika me degët dhe në rrjedhën e poshtme të lumit Pçinja.
 
Për momentin, sipas informacionit të pikave hidrologjike, shihet se kudo nivelet janë të larta, por nivele të larta me tendencë rritjeje ka në lumin Vardar në pikën Jegunoc dhe Radushë.
 
"Informacion për rritjen e nivelit të ujit vërejmë edhe në pikën hidrologjike në Novaci dhe Cërna, Banjën e Katllanovës në lumin Pçinja, Bregallnica në Shtip. Prej informacioneve të fundit shihet se në pikën hidrologjike në Makedonski Brod vërehet zvogëlim i nivelit të ujit, më pas në Borotio në Blaton e Borortinës dhe të tjera", thonë nga Drejtoria.
 
Stacionet meteorologjike shënojnë ulje të lartësisë së shtresës së borës. Shkrirja e borës e shoqëruar me reshje të cilat ranë në 48 orët e kaluara, kontribuuan për rritjen më të shpejtë të nivelit tek të gjitha rrjedhat lumore në Maqedoni. Sipas informacioneve nga terreni, rritje më të mëdha u paraqitën tek lumenjtë Treska, Cërna, Vardar, Sateska, Radika, Pçinja dhe lumenj të tjerë më të vegjël.
 
"Në 24 orët e ardhshme do të ketë reshje të shiut, kryesisht prej veriperëndimit, në disa pjesë të malit Korab dhe Malit të Sharrit, me sasi prej 10 deri në 15 litra në një metër katror, ndërsa borë do të bjerë në pjesët me mbi 2.000 metra lartësi mbi niveli e detit. Për shkak të kësaj gjendje me motin, edhe pse sasitë janë të vogla, megjithatë në disa pellgje prej zonave të theksuara pritet këto sasi të reja të ujit të shkaktojnë presion shtesë ndaj rrjedhave lumore dhe përrenjve", informon DPHM.
 
Edhe më tej priten nivele të larta të ujit dhe rrezik prej derdhjeve lokale të lumenjve./mia