Ekonomi
Propozim-ligji për mbështetje financiare, Angjushev dhe Bekteshi konsultime me afaristët
05.03.2018 16:16
Propozim-ligji për mbështetje financiare të investimeve u prezantua për herë të fundit para komunitetit të biznesit....

Nga qeveria thonë se ata morën konsultimet finale nga ana e komunitetit të biznesit në lidhje me këtë ligj, ndërsa u bënë apel bizneseve t’i shfrytëzojnë masat e parapara me këtë ligj.
“Dëgjuam disa vërejtje të dobishme dhe vërejtjet të cilat i kemi pasur gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore i kemi përfshirë në këtë ligj. Vlerësoj se përfundimisht kemi ligj i cili do të jetë i kapur dhe i lehtë për t’u implementuar dhe i cili do të japë rezultate në zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
“Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjitha kompanive t’i shfrytëzojnë masat të cilat janë paraparë me Ligjin e ri për mbështetje financiare të investimeve dhe në këtë mënyrë të rrisim standardin për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, por njëkohësisht të ndihmojmë edhe për zhvillimin ekonomik në vend”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Propozim-ligji për mbështetje financiare të investimeve e ka përkrahjen e Odës Ekonomike të Maqedonisë. Sipas kryetarit të Odës, Branko Azevskit, procedura për sjelljen e këtij ligji duhet të ndërmerret në afat sa më të shpejtë, pasi do të ndikojë në zhvillimin e kompanive dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi.
“Maksimalisht do ta mbështesim programin, maksimalisht do ta mbështesim sjelljes e ligjit dhe maksimalisht do ta mbështesim implementimin e tij. Do të angazhohemi të gjithë për të, pasi sipas të dhënave të fundit të cilat na i kumtuan bashkëbiseduesit tanë, rreth 8.000 kompani do të marrin pjesë në këto procedura dhe kjo është një impakt serioz për ekonominë e vendit dhe për kërkesat tona kyçe për zhvillim të industrisë, rritjes së eksportit dhe punësimeve të reja”,- tha kryetari i OEM-së, Branko Azevski.
Propozim-ligji për përkrahje financiare të martën e ardhshme duhet të jetë në seancë plenare të qeverisë, e më pas do t’i dërgohet për miratim Kuvendit republikan.
ERSAN PAJAZITI
