Botë

“Epopeja e UÇK-së”, 20-vjetori i rënies heroike të Adem Jasharit

05.03.2018 16:36

Me homazhe të krerëve shtetërorë dhe qytetarëve të shumtë, te varrezat e familjes Jashari në Prekaz...

Me homazhe të krerëve shtetërorë dhe qytetarëve të shumtë, te varrezat e familjes Jashari në Prekaz dhe me ceremoninë për manifestimin e “Epopesë së UÇK-së”, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, Kosova po shënon 20-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri.
 
Të gjithë përulemi në nderim të sakrificës madhore të familjes Jashari, tha në Prekaz presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke shtuar se shteti i Kosovës për këto dy dekada është ndërtuar mbi vlerat e luftës çlirimtare, ndërsa ka si synim integrimet euroatlantike.
 
“Në këtë 20 vjetor të rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jasharit, duhet të ndihet krenar çdo qytetar për kontributin e vet, për rrugëtimin që kemi pasur, por duhet të jetë me besim të plotë dhe me optimizëm për të ardhmen e shtetit tonë”,- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Duke folur në paradën e FSK-së të mbajtur në kazermën “Adem Jashari”, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, tha se në këtë   20-vjetor po i kujtojnë bijtë dhe bijat e mbarë kombit shqiptar që ditën t’i kapin armët e t’i kundërvihen forcave serbe për të sjellë lirinë e Kosovës.
 
“Ne pasardhësit e tyre e kemi obligim moral dhe të domosdoshëm për hir të djemve dhe bijave, për hir të gjakut dhe luftës, të ulemi të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të çojmë Kosovën përpara, ashtu si na ka hije si popull dhe komb”,- tha vëllai i Adem Jasharit, Rifat Jashari.
 
Për nder të “Epopesë së UÇK-së” u mbajt edhe një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës ku kryeparlamentari, Kadri Veseli, dhe kryeministri, Ramush Haradinaj, vlerësuan se sakrifica e Adem Jasharit dhe familjes së tij është rast unik në historinë e njerëzimit. Mesazhi i saj u flet shekujve dhe gjithë popujve se asgjë nuk është më e çmueshme sesa liria. 
 
Ndryshe, në Epopenë e Prekazit në mbrojtje të familjes dhe Kosovës, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, pas një qëndrese historike, në luftën për liri dhe pavarësi ranë heroikisht 56 anëtarë të familjes Jashari, 20 prej të cilëve anëtarë të familjes së ngushtë të komandantit legjendar, Adem Jasharit. 
 
GYLTENE SINANI