KEMM: Standardet i shkelin më shumë mediat online
Komisioni për Ankesa pranë Këshillit për Etikë në Media, ka marrë 214 ankesa në tre vitet e kaluara....

Në 79% të rasteve, standardet etike dhe profesionale të gazetarisë më së shumti janë thyer prej mediave online, pasojnë televizionet me 12,6% dhe mediat e shkruara ditore dhe javore me 8%.
Në 175 raste, Komisioni ka vërtetuar thyerje të Kodeksit të gazetarëve dhe ka shqiptuar sanksione morale, 28 ankesa janë hedhur poshtë si të pabaza ose jashtë juridiksionit të Komisionit, ndërsa për 11 ankesa është vendosur me mediacion. Por, përkundër shifrave, për Këshillin për Etikë në Media brengosës është fakti se shkeljet më të mëdha kanë të bëjnë me rregullat themelore të etikës gazetareske: shpallja e informatave të sakta, të verifikuara dhe të gjithpërfshira dhe gjithashtu ndarja e fakteve nga mendimi i gazetarit. Veçanërisht brengos ajo që 28,8% nga numri i përgjithshëm i ankesave janë për media që përhapin gjuhën e urrejtjes, që kanë përdorur deklarata diskriminuese ose kanë nxitur stereotipa, duke dëmtuar seriozisht pjesëtarët e grupeve të veçanta.
Mediat online apo mediat e tjera që nuk respektojnë rregullat e gazetarisë etike, shpesh manipulojnë me opinionin duke plasuar informata të sajuara apo gjysmë të vërteta, të cilat më pas rrisin ndikimin përmes përhapjes dhe komenteve në rrjetet sociale.
Duke pasur parasysh fuqinë e madhe manipulative të dezinformimit dhe të lajmeve të rrejshme dhe të sajuara, të cilat shpërndahen nën petkun e “gazetarisë serioze”, KEMM ka miratuar rregulla të veçanta për internet-portalet, të cilit janë anëtarë apo duan të anëtarësohen në Këshillin e Etikës. Por, me gjithë miratimin e këtyre rregullave, KEMM bën thirrje që të gjitha mediat të punojnë me integritet profesional dhe të përkushtohen për zbatim të përkushtuar të principeve themelore të gazetarisë etike.
