Maqedoni

Janeva: Po hetojmë ku u fshehën paratë nga keqpërdorimi i pushtetit

05.03.2018 17:19

Hetimet financiare dhe zbulimet se ku janë larë paratë, si pasojë e keqpërdorimit të pushtetit, janë në fokus të Prokurorisë Speciale Publike...

Aktualisht kjo prokurori po heton se në cilat shtete mund të jenë derdhur paratë e pista, ndërsa si shtete të mundshme përmenden Çekia, Greqia, Britania e Madhe apo Holanda. Prokurorja speciale, Katica Janeva, tha se PPS po punon edhe në zbardhjen e keqpërdorimeve të projektit “Shkupi 2014” dhe së shpejti do të dalin me një vendim të Prokurorisë. Ajo tha se nuk do të lejojnë t’u mbeten duart e lidhura për hetime ndërkombëtare financiare.
 
“PPS tashmë bashkëpunon me shtetet e tjera, ndërsa prokurorët tanë janë në vizita studimore. Shpresoj se do të zbulojmë ku saktësisht janë derdhur paratë dhe a janë ende në Maqedoni. Çdo ditë gjejmë mënyra dhe mundohemi të jenë ligjore, se si hetimet tona financiare të shkojnë më shpejt. Të gjithë prokurorët dhe i gjithë ekipi i PPS-së më shumë punojnë në hetimet financiare. Kemi edhe shumë material, i cili është mbledhur dhe po analizohet në bazë ditore”,- deklaroi prokurorja publike, Katica Janeva.
 
Mbështetja e PPS-së në përforcimin e kapaciteteve të tyre operative dhe kapaciteteve për bashkëpunim ndërkombëtar është pikërisht qëllimi i projektit “mbështetje për PPS-në për përforcim të kapaciteteve operative”, i financuar nga ana e Ambasadës holandeze, i cili do të zgjasë tre vjet. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI