Maqedoni

VMRO - DPMNE: Shilegovi po e partizon Administratën komunale. Shilegov: VMRO e ka hallin e ujit të “Hekuranës”

05.03.2018 17:53

Grupi i këshilltarëve nga radhët e VMRO-DPMNE në qytetin e Shkupit kërkon llogari nga kryetari, Petre Shilegov, për emërimin e 100 anëtarëve në Këshillin drejtues dhe mbikëqyrës...

Sipas VMRO-së, LSDM nuk është transparente sa i përket emërimit të anëtarëve të rinj duke fshehur biografitë e tyre, akuzojnë se mes të emëruarve ka dhe persona që kanë kryer vepra të rënda penale dhe se Shilegov po e partizon administratën. 
 
“Në media veç më është shpërndarë informacioni që mes personave ka funksionarë të LSDM-së, persona që punojnë në Qytetin e Shkupit, në Qeveri dhe në kabinet të Zoran Zaevit. Dyshohet që në mesin e këtyre personave ka dhe të tillë që kanë kryer vepra të rënda penale. Shilegovi premtoi profesionalizim në institucione, ndërsa tani kemi fituar institucione të partizuara  si dhe joefikase”,- deklaroi anëtarja e Këshillit të Qytetit të Shkupit nga VMRO-DPMNE, Jelena Zhugigj.
 
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, thotë se VMRO nuk e ka hallin e kësaj përzgjedhjeje, por të miratimit të vendimit që kompleksi “Hekurana” - Shkup të paguajë çmim për ujin që përdor.
 
“Kjo është mënyra klasike për defokusim nga pyetja kryesore që ishte në seancën e kaluar, pra që përfundimisht “Hekurana” - Shkup do të fillojë të paguajë për ujin që përdor, gjë që nuk e ka bërë që nga viti 1971 deri më tani”,- u shpreh kryetari i Qyetit Të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Shilegov thotë se bëhet fjalë për ndërrime të kuadrove partiake që VMRO-DPMNE i kishte instaluar në Këshillin drejtues dhe mbikëqyrës në ndërmarrjet publike dhe institucionet që janë në ingerenca të Qytetit të Shkupit. Tashmë ata janë ndërruar nga profesionistë. 
 
GAZMEND REXHEPI