Maqedoni
Rasti i Almirit, dëshmitarët me dëshmi kontradiktore
05.03.2018 18:09
Në pjesën e parë të seancës së rastit të Almirit në Gjyqin Themelor në Kumanovë, me kërkesë të avokatit mbrojtës të familjes Aliu, Asmir Alispahiqit, dëshmoi vëllai i të akuzuarit Boban Iliq, Bojani...

Mirëpo dëshmia e tij ishte kontradiktore. Bojan Iliqi fillimisht tha se gjatë shmangies me veturë kanë kthyer në të majtë, ndërkaq në pyetjen e prokurores, Suzana Kusigerskas, demantoi veten duke deklaruar se nuk ka thënë se kanë kthyer në të majtë.
“Sot ishit dëshmitarë të marrjes në pyetje direkte të dëshmitarit të propozuar nga unë, Bojan Iliqit, i cili në pyetje tejet konkrete përgjigjej në mënyrë kontradiktore në pjesën e mbajtjes së një gjësendi në dorën e djathtë, daljen dhe lëvizjen në vetë rrugën. Tashmë vetëm vërtetohet ajo që unë si avokat mbrojtës tërë kohën e them se tentativa për rikualifikim eventual nga ana e prokurores, Suzana Kusigerska, e cila në pyetjet e drejtpërdrejta i jepte përgjigjet të cilat i konvenonin asaj që të mundet t’i hedh në fjalën përfundimtare. Por, unë energjikisht reagova në pyetjet e tilla të parashtruara direkte të cilat Gjyqi me gjithë respektin nuk i lejoi”,- deklaroi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
Edhe në pjesën e dytë të seancës në të cilën dëshmoi Tatjana Dimkovska u dhanë dëshmi kontradiktore.
“Ajo në një moment me siguri të lartë tha në momentin e fillimit të lëvizjes së makinës, ata kanë vazhduar drejt dhe pas një kohe kanë kthyer në të djathtë, ku kanë hasur në rrugë qorre. Është e njëjta punë që ne prej fillimit të procedurës të vërtetimit të fajësisë kemi pretenduar për një trajektore tjetër të lëvizjes të të akuzuarit, Boban Iliq, dhe mundësisë së tij për t’iu shmangur situatës në minimum 2-3 raste. Edhe ne me kolegun Asmir ngelëm të befasuar nga mënyra e dhënies së deklaratës së saj, aq më tepër u befasuam në pjesën e dytë kur prokurorja nëpërmjet pyetjeve të kryqëzuara tentoi që ta rikthejë dhe modifikojë deklaratën e saj në përputhje me përshkrimin e aktakuzës ashtu siç bën prokurorja”,- u deklaroi gazetarëve avokati mbrojtës, Ibrahim Bajrami.
Pas dëgjimit edhe të këtyre dy dëshmitarëve në seancën e radhës, më 15 mars, pritet të jepen fjalët përfundimtare.
NEXHATI AQIFI
