Maqedoni
Kuvend, takim Xheferi –Jença, Jença: Është koha për të zgjidhur emrin; Xhaferi: Maqedonia zbaton obligimet ndaj OKB-së
05.03.2018 18:15
OKB vlerëson se janë “pjekur” kushtet që Maqedonia dhe Greqia të shënojnë një hap përpara në zgjidhjen e kontestit rreth emrit....

Mirosllav Jença - ndihmëssekretar gjeneral i Kombeve të Bashkuara për çështje politike, gjatë takimit me kryeparlamentarin, Talat Xhaferin, ka deklaruar se Kombet e Bashkuara dhe sekretari gjeneral do t’i përkrahin të gjitha përpjekjet që të dyja palët të bëjnë hap përpara dhe të gjejnë zgjidhje, e cila do të ketë kontribut jo vetëm në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, por edhe më gjerë, për stabilitetin e rajonit. Jança ka nënvizuar domethënien e ndërtimit të konsensusit në shtet rreth qëllimeve strategjike, siç është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, kumtuan nga Kuvendi.
“Z. Jença e përuroi kryetarin Xhaferi për udhëheqjen në qetësimin e situatës në Kuvend dhe për zbatimin e reformave të domosdoshme, për të cilat Kombet e Bashkuara e tregojnë solidaritetin e vet dhe i përkrahin angazhimet për ardhmërinë evropiane të të gjithë qytetarëve në vend. Me këtë rast, ai e potencoi faktin se ambasadorja Vinton dhe ekipi i saj në vend janë në dispozicion për të ndihmuar gjatë zbatimit të këtyre reformave”,-thuhet në kumtesën e Kuvendit.
Në ndërkohë, kryeparlamentari Xhaferi ka njoftuar ndihmëssekretarin gjeneral të OKB-së për çështje politike, se Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj angazhimeve për respektimin e obligimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në OKB, si: të drejtat e njeriut, joproliferimin e armëve, luftën kundër terrorizmit, ndryshimet klimatike dhe implementimin e qëllimeve zhvillimore të mileniumit, por edhe në përkrahjen e misioneve paqësore të Organizatës në Liban - UNIFIL.
Jança u takua edhe me nënkryetarin e Kuvendit, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit për çështje evropiane, Veles Memedi, dhe me kryetarin e Komisionit për siguri dhe mbrojtje, Hari Lokvenec.
SHPËTIM NUREDINI
