Maqedoni

Zaev: Kocijas vjen në Shkup në pjesën e dytë të marsit

05.03.2018 18:21

Projekt-versioni grek për kontestin me emrin pritet të arrijë në Maqedoni në javën e tretë ose të katërt të marsit...

Projekt-versioni grek për kontestin me emrin pritet të arrijë në Maqedoni në javën e tretë ose të katërt të marsit, ku për vizitë në Shkup do të vijë shefi i Diplomacisë greke, Kocias. Kështu deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Shefi i Diplomacisë greke, Nikos Kocijas, do të sjellë projekt-versionin grek për zgjidhjen e kontestit me emrin në gjysmën e dytë të këtij muaji. Këtë e bëri të ditur kryeministri, Zoran Zaev, i cili njëherit paralajmëroi edhe raund të ri të negociatave me ndërmjetësuesin Nimic.
 
“Kemi paralajmërim se do të aterojë Kocijas javën e tretë ose të katërt të marsit, ku me ardhjen e tij në aeroportin e Shkupit do të mund të bëhen përpjekje të afrohen qëndrimet, të këmbehen informata, të ndajnë pritje ose ngjashëm. Pas kësaj, me gjasë do të ketë takime të reja liderësh ose takime të informimit të ndërsjellë dhe krijimit të strategjive”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Nga ana tjetër, presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos, sërish ka përsëritur kërkesën për ndryshim të Kushtetutës. “Fillimisht ta ndryshojnë Kushtetutën, pastaj, kur të arrijmë në çfarëdo marrëveshje, në këtë marrëveshje do të ketë emër i cili nuk do të rrezatojë irredentizëm”,- ka deklaruar president i Greqisë.
 
Qëndrim të ngjashëm ka edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Fotis Kuvelis, i cili zgjidhjen e çështjes e sheh me një marrëveshje ndërkombëtare, me të cilën do të përfshiheshin edhe ndryshimet kushtetuese. 
 
Në Greqi janë paralajmëruar protesta të reja në rast se arrihet marrëveshje për emrin dhe nëse e njëjta nuk do të kalonte në referendum. Protesta me kërkesën për ndërprerjen e bisedimeve ka pasur edhe në Shkup. 
 
GAZMEND REXHEPI