Lahm në pension
Mjeshtri i lojës apo më konkretisht njeriu që i dha zjarr lojës, shpirti luftarak i dha lamtumirën kombëtares gjermane...

Mjeshtri i lojës apo më konkretisht njeriu që i dha zjarr lojës, shpirti luftarak i dha lamtumirën kombëtares gjermane! Filip Lahm nuk do të luajë më në kombëtare. Lajmin e bujshëm e ka publikuar gazeta “Bild”, e cila në faqen e parë ka zbuluar se kapiteni i përfaqësueses gjermane ka vendosur të tërhiqet.
Vetë Lahm ka zbuluar për “Bild” se nuk dëshiron të vazhdojë më të luajë për katër herë kampionët e botës dhe se ky është momenti ideal për t’i dhënë fund, pasi ka fituar titullin më të rëndësishëm të karrierës së tij në “Maracana”.
Një lamtumirë, që vjen papritur pasi Lahm është ende 30-vjeçar dhe mund të luante jo vetëm në Euro 2016, por gjithashtu dhe në Botërorin e ardhshëm të Rusisë. Lahm në total në karrierën e tij me përfaqësuesen ka luajtur 98 ndeshje, duke shënuar dhe pesë gola, ku ndoshta më i paharrueshmi për të do të jetë ai ndaj Kostarikës në ndeshjen hapëse të Botërorit të vitit 2006, që ishte dhe i pari për këtë Kupë Bote.
Në vitin 2010, Lahm mori shiritin e kapitenit të përfaqësueses pas dëmtimit të Ballack dhe më këtë të fundit, që nga ky moment nuk pati asnjëherë një marrëdhënie të mirë.
Me Gjermaninë ai u rendit i treti në atë Botëror, ishte finalist i Evropianit në vitin 2008, u pozicionua sërish i treti në Afrikën e Jugut dhe më pas në 2012 kombëtarja gjermane e udhëhequr prej tij në fushë u eliminua në gjysmëfinale nga Italia.
Më 13 Korrik 2014 arriti dhe majën me përfaqësuesen duke ngritur lart Kupën e Botës në Rio de Janeiro. Gjithsesi karriera e Lahm me klubin do të vazhdojë, pasi me Bayernin, ai ka aktualisht një kontratë deri në vitin 2018 dhe njëkohësisht është dhe kapiten I skuadrës ashtu si në kombëtare.
