Maqedoni

7 marsi, UNT akademi solemne për Ditën e mësuesit

05.03.2018 19:05

Me një akademi solemne, Universiteti “Nënë Tereza” filloi aktivitetet për shënimin e 7 Marsit..

Me një akademi solemne, Universiteti “Nënë Tereza” filloi aktivitetet për shënimin e 7 Marsit - ditës së themelimit të mësonjëtores së parë shqipe në vitin 1887 në Korçë nga mësuesi i parë, Pandeli Sotiri. Mësimdhënia është një ndër profesionet më të shenjta, pasi të jesh mësues është një privilegj dhe përgjegjësi njëkohësisht, sepse ke qasje të drejtpërdrejtë me shpirtin e ardhmërisë, u tha në akademi.                                                     
“Emrat e Pandeli Sotirit, Petro Nini Luarasit, familjes Qiriazi, do t’i kujtojmë me respekt në këtë ditë. Por, do t’i kujtojmë edhe Hamdi Ohrin e Ros Voglin, Sait Najdelin, Matilo Gorencin e Haxhi Zekën, që hapën shkollat e para në këto anë menjëherë pasi u hap ajo në Korçë”,- deklaroi rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani.
 
“7 marsi, siç dihet, është një prej datave madhështore të kombit shqiptar për arsye se u hap shkolla e parë laike, një shkollë ku ishte thjesht kombëtare shqiptare, ku plan-programet ishin të përpunuara nga mësuesit shqiptarë dhe u hap me leje të Perandorisë. Prandaj kjo ishte një çerdhe e cila i motivoi që më vonë të hapen shkolla aty ku kishte shqiptarë dhe kjo pas 131 viteve ndikoi që në shumë vende të hapen shkolla fillore të mesme por edhe  universitete”,- tha profesori në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup, Avzi Mustafa.                                                                                                                                       
Arsimit shqip në Maqedoni tanimë nuk i mungon edhe mbështetja institucionale, deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi, dhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu. 
 
“Un si zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, personalisht por dhe në emër të Qeverisë së RM-së, ju siguroj se do të vazhdojmë me përpjekjet tona për të çuar përpara gjuhën shqipe, por edhe arsimimin në gjuhën shqipe duke ndërmarrë të gjitha masat konkrete, veprime konkrete, aktivitete konkrete në drejtim të këtij avancimi”,- tha zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
 
“Shkollat janë vatrat më të rëndësishme të çdo kombi për lartësimin e dinjitetit njerëzor, ndërtimin e një të ardhme të ndritur dhe hapërim në rrugën e përparimit, për kombin tonë të përvuajtur e që ka përballuar stuhi të shumta për të ruajtur identitetin e vet,. Shkollat kanë qenë vatrat që nuk lejuan gjunjëzimin përballë rezistencës së egër pushtuese për asimilim”,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Në prag të Ditës së mësuesit, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti i Tiranës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.
 
“Kjo konsolidon ose themelon bashkëpunimin e vazhdueshëm me këtë universitet në shkëmbim të stafit akademik, të studentëve në pjesëmarrje të përbashkët në projekte kërkimore dhe në të gjitha aktivitetet e ndryshme”,- u shpreh rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
 
Me këtë rast, rektori i Universitetit të Tiranës bëri të ditur se po planifikon të mbledhë në një tryezë të rrumbullakët në Tiranë të gjitha universitetet shqipfolëse për të mundësuar një bashkëpunim të ngushtë me qëllim të përmirësimit, zhvillimit, arsimimit dhe përparimit të kombit shqiptar.
 
SEVDIE OMEROVIQ