Anketa e IFIMES: shumica e qytetarëve pro bisedimeve për emrin
Shumica e qytetarëve të Maqedonisë i mbështesin përpjekjet e kryeministrit, Zoran Zaev, dhe Qeverisë lidhur me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë...

Gjashtëdhjetë e tre për qind e të anketuarve në anketën që e zbatoi Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Afërt dhe Ballkanit, IFIMES, nga Lubjana, shprehën mbështetje për negociatat.
Njëmbëdhjetë për qind nuk japin mbështetje, përderisa 26 për qind u deklaruan se nuk kanë qëndrim. Hulumtimi i mendimit publik është kryer në periudhën prej 19 deri më 28 shkurt me 998 persona.
Po ashtu në pyetjen nëse Republikën e Greqisë e konsiderojnë për shtet mik, 41 për qind u përgjigjën pozitivisht, 33 u përgjigjën me jo, përderisa 26 për qind nuk kanë qëndrim.
Pesëdhjetë e nëntë për qind e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht punën e Qeverisë së kryeministrit Zaev, 25 për qind dhanë vlerësim negativ, ndërsa 16 për qind u deklaruan se nuk kanë qëndrim.
Ndërsa vlerësim tejet më të ulët ka presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, punën e të cilit pozitivisht e vlerësuan 14 për qind e qytetarëve të anketuar.
Shtatëdhjetë për qind e vlerësuan negativisht, ndërsa 16 për qind deklaruan se nuk kanë qëndrim. Mbështetje të lartë ka edhe PPS, punën e së cilës e mbështesin shtatëdhjetë e tetë për qind, 14 për qind nuk e mbështesin, ndërsa tetë për qind nuk kanë qëndrim.
Shumica e qytetarëve të vendit e mbështesin edhe Ligjin për gjuhët. Pesëdhjetë e shtatë për qind e mbështesin miratimin e ligjit për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe gjuhën e bashkësive etnike pakicë. Njëzet e tetë për qind nuk japin mbështetje, ndërsa 13 për qind nuk kanë qëndrim.
Shumica e qytetarëve të vendit, apo 83 për qind, e mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian. Gjashtë për qind nuk e përkrahin, përderisa 11 për qind u deklaruan se nuk kanë qëndrim.
Shtatëdhjetë e një për qind e të anketuarve e mbështetën hyrjen e vendit në NATO. Tetë për qind konsiderojnë se vendi nuk duhet të hyjë në Aleancë, përderisa 21 për qind nuk kanë qëndrim.
