Futboll

FC Shkupi edhe me dokumente në Çair

18.07.2014 18:25

Ka marrë fund pritja e gjatë dhe prej sot, edhe zyrtarisht janë kompletuar të gjitha punët administrative...

Ka marrë fund pritja e gjatë dhe prej sot, edhe zyrtarisht janë kompletuar të gjitha punët administrative, lidhur me emrin e klubit futbollistik Shkupi, pas shkrirjes që u bë verën e kaluar me Korzon nga Prilepi. 

Skuadra, sezonin e shkuar futbollistik, më saktësisht pjesën pranverore, e luajti me emrin e FC Shkupi, por adresa në regjistrin qendror të Maqedonisë, figuronte në Prilep, aty ku është selija e Korzos. Megjithatë, tani është kompletuar I gjithë dokumentacioni dhe Shkupi, me të gjitha “nishanet” është i Çairit. 

Këtë lajm, për ueb faqen zyrtare të klubit, e ka konfirmuar vet kryetari i skuadrës, Ejup Ademi, sipas të cilit, tani do të jetë shumë më lehtë për klubin për ti kryer procedoruat e regjistrimit të lojtarëve dhe të tjera. 

“Atë që e kishim paralajmëruar në fillim kur edhe e morëm të udhëheqim klubin, tani më edhe është realizuar. Me 16 korrik klubi ka ndërruar selinë dhe tani është me adresë të përhershme në rr. Kemajl Sejfulla në Shkup – lagjen Çair, aty edhe ku e ka pasur vendin më parë”, ka thënë Ademi, duke falenderuar të gjithë ata që ndihmuan kthimin e Shkupit në Çair, nga bashkëpunëtorët e tij, e deri te Federata Futbollistike e Maqedonisë. 

Ndryshe Shkupi, aktualisht është duke qëndruar në Strugë, ku skuadra në kuadër të fazës përgatitore, nën prirjen e trajnerit Zekirija Ramadani, zhvilloi një ndeshje miqësore, me ekipin e Mlladostit, që u mbyll pa fitues me 1-1. 

Garimin në sezonin e ri në ligën e dytë futbollistike, me synimin e vetëm, kthimin në shoqërinë elitare, Shkupi do ta nis me nëntë gusht, me derbin shqiptar, kundër Dritës në Çair, ndërsa në kupë, në 1/16 e finaleve, do të jetë mysafir i 11 Oktomvrit në Prilep.

Mustafa Ademi