Maqedoni
Dhuna në vendin e punës, më të rrezikuara ndihmëset shtëpiake e infermieret
06.03.2018 14:12
818 milionë gra mbi 15 vjeç, apo 35% e grave në nivel global, kanë qenë të paktën një herë në jetë viktima të dhunës seksuale ose fizike në shtëpi...

818 milionë gra mbi 15 vjeç, apo 35% e grave në nivel global, kanë qenë të paktën një herë në jetë viktima të dhunës seksuale ose fizike në shtëpi, në bashkësitë e tyre ose në vendin e tyre të punës, tregojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Më shumë të rrezikuara për dhunë psikike, seksuale apo fizike në vendin e punës janë gratë që punojnë si ndihmëse shtëpiake, infermieret përjetojnë tre herë më shumë dhunë në vendin e punës krahasuar me profesionet e tjera, tregojnë hulumtimet e organizatave ndërkombëtare.
Madje edhe gati gjysma e punëtorëve gra në media ankohen se kanë përjetuar shqetësime seksuale në vendin e tyre të punës, 3/4 e tyre ankohen për frikësim, kërcënim ose keqpërdorime gjatë kryerjes së punës. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë dhe Seksioni i Grave janë përfshirë në fushatën e Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe burrave në vendin e punës.
“Disa vite me radhë sindikatat kërkuan një rekomandim të tillë, sepse jemi dëshmitarë se në botë nuk mund të ekzistojë punë dinjitoze derisa ekziston dhunë në vendin e punës. Edhe sot shpesh jemi dëshmitarë si në botë, ashtu edhe në vendin tonë, se si punëtorët durojnë ndonjë lloj të dhunës, por deri më tani nuk ekziston ndonjë standard ose ligj i cili do të paraqesë bazë për udhëzime të kësaj konvente”,- deklaroi kryetarja e Seksionit të Grave pranë LSM-së, Elizabeta Gelevska.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë do të lobojë deri te Qeveria dhe deri te Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë ta përkrahin miratimin e konventës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës me rekomandimin për ndalimin e dhunës ndaj burrave dhe grave në vendin e punës. Diskutimet e para do të mbahen në takimin e 107 të Konfederatës së ONP-së në qershor.
BELINDA KOKA ADEMI
