Botë
“Epopeja e UÇK-së”, aktivitete në Prekaz, Prishtinë, Tiranë e Shkup
06.03.2018 15:03
Delegacione të shumta nga pushteti qendror e lokal, nga qeveria dhe opozita, por edhe shoqatat e dala nga lufta, në kuadër të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”...

Delegacione të shumta nga pushteti qendror e lokal, nga qeveria dhe opozita, por edhe shoqatat e dala nga lufta, në kuadër të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, kanë bërë homazhe te kompleksi i varrezave të Jasharajve.
Për nder të 20-vjetorit të Epopesë së UÇK-së u mbajt edhe konferenca shkencore me temë “Jasharajt dhe Lufta Çlirimtare”.
Në vitet 90-a Kosova u kthye në dhunë e terror dhe Adem Jashari me familjen dhe bashkëluftëtarët e tjerë ndryshuan rrjedhën e historisë”, thanë pjesëmarrësit në konferencë, për të cilët Epopeja përbën një pikë kulmore në historinë e lirisë së Kosovës.
“Në histori për një ditë, orë, apo çast kanë rënë qeveri, mbretëri e perandori, e familja Jashari me 5, 6, dhe 7 mars nuk ra, por ra fuqia e një pushtuesi shekullor të shqiptarëve”,- deklaroi drejtori i Institutit të Historisë – Prishtinë, Sabit Syla.
“Në Prekazin e poshtëm Jasharajt legjendarë luftuan kundër një shteti që kishte angazhuar forca të shumta ushtarake policore, i cili shtet atë ditë përdori tërë arsenalin ushtarak, veç avionëve luftarakë. Në atë luftë armiku përdori tanket dhe tërë artilerinë e rëndë të të gjitha llojeve. Nuk besoj se një luftë e përmasave të këtilla të jetë zhvilluar në ndonjë vend tjetër mes një shteti me një familje”,- u shpreh ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u përkujtua me një akademi edhe në Tiranë. Rifat Jashari - vëllai i komandantit legjendar, Adem Jasharit, theksoi se lufta e Kosovës nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar.
“E falënderoj mbarë popullin shqiptar të Shqipërisë për pritjen e respektin gjatë asaj periudhe të luftës në Kosovë. I falënderoj të gjithë për kontributin edhe përpara luftës, edhe gjatë luftës, por edhe pas luftës”,- theksoi vëllai i Adem Jasharit, Rifat Jashari.
Pjesë e aktiviteteve për shënimin e “Epopesë së UÇK-së” është dhe Akademia përkujtimore kushtuar komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes Jasharaj dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri, që do të mbahet më 7 mars në Shkup.
Ndërsa aktivitetet do të kulmojnë mbrëmjen e 7 marsit në komunën e Skenderajt, ku do të mbahet manifestimi “Nata e zjarreve’’.
GYLTENE SINANI
